Reperi i njohur amerikan, Kanye West, ka ngritur një padi ndaj ish-dentistit të tij në Beverly Hills, Dr. Thomas Connelly, duke e akuzuar për neglizhencë mjekësore dhe për shkaktimin e varësisë ndaj oksidit të azotit, i njohur ndryshe si “gazi për të qeshur”.

Sipas dokumenteve ligjore të siguruara nga E! News, West dhe bashkëshortja e tij, Bianca Censori, përmes firmës ligjore Golden Law, kanë paraqitur një paralajmërim zyrtar ndaj stomatologut – një hap i detyrueshëm përpara ngritjes zyrtare të padisë në gjykatë, sipas ligjit të Kalifornisë.

Në dokumente thuhet se gjatë trajtimeve estetike dentare në periudhën 2024–2025, Dr. Connelly i ka administruar West-it doza të mëdha anestezioni pa arsye të justifikueshme mjekësore. Më tej, ai akuzohet se i ka dërguar bombola me gaz në shtëpinë e reperit, duke e nxitur përdorimin e pakontrolluar të tyre, edhe në mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

Ekipi ligjor pretendon se mjeku ka përdorur edhe substanca të tjera sedative, përfshirë një të ngjashme me propofolin, dhe më pas e ka lënë pacientin pa ndjekje të mëtejshme mjekësore. Si pasojë, West ka përjetuar dëmtime serioze fizike dhe mendore, që kanë ndikuar edhe në marrëdhënien me bashkëshorten.

Në padi theksohet se veprimet e dentistit kanë qenë “të papërgjegjshme dhe ndoshta të qëllimshme”, duke shkaktuar dhimbje të vazhdueshme dhe përkeqësim të gjendjes së reperit.