Me dhjetëra qytetarë nga Durrësi janë mbledhur në dyert e Prefekturës për të aplikuar për përfitimin e grantit të rindërtimit për banesat e dëmtuara nga tërmeti.
Banorët ankohen para kamerës së “DurrësLajm” se mbajnë radhën që prej orës 4.00 të mëngjesit dhe nuk po marrin dot zgjidhje për dorëzimin e dosjeve të tyre,
Një pjesë e këtyre qytetarëve që po aplikojnë janë banorë që nuk kanë qenë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe pasi janë jetojnë jashtë vendit, dhe pikërisht kësaj kategorie i është dhënë mundësia për aplikim.
Por pavarësisht se aplikimet janë mbyllur më herët për pjesën tjetër të qytetarëve të Durrësit, me shpalljen e dy listave fituese, mundësinë për emigrantët e kanë shfrytëzuar edhe të tjerë banorë, të cilët shprehen se kanë sjellë dosjet e tyre për të disatën herë.
“Ne po aplikojmë sot se nuk kemi qenë në Shqipëri, nuk e prisja prej qeverisë këtë shans të dytë dhe i falënderoj. Por mënyra se si po jepet shërbimi është gati e pamundur. Kemi dy ditë që rrimë në radhë për një numër. Duhet t’i japin një zgjidhje kësaj radhe”, shprehet një emigrant.
Një qytetar, banesa e të cilit ka pësuar dëmet e para që në tërmetin e 21 shtatorit, pavarësisht se nuk është shpallur fitues, ai tenton sërish të riaplikojë: “Kam dy ditë këtu, kam ardhur që në orën 04:00 të mëngjesit. Tre herë kam bërë aplikim e nuk kam fituar”, thotë ai.
Shqetësuese është situata, pasi pavarësisht apelit të vazhdueshëm për shmangien e grumbullimeve si rrezik i madh për përhapjen e infektimit nga Covid-19, njerëzit shihen të ngjeshur me njëri-tjetrin pa respektuar asnjë distancë sigurie, në një kohë kur shifrat e të infektuarve të rinj janë bërë alarmante.
“Kjo është shkelje e rregullave. Ministria e Shëndetësisë ta pezullojë, ku lejohet kjo situatë kështu”, deklaron një qytetar.
Më herët, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi dy lista për dhënien e ndihmës financiare; i pari me 6257 persona që u miratua në datën 25 qershor; si dhe lista e dytë e miratuar më 7 korrik, ku u kualifikuan 1192 persona, të cilët u shpallën fitues pas ankimimeve të bëra pasi nuk përfituan nga lista e parë. Në total deri më sot janë përfitues 7449 emra që përfitojnë grantin për rikonstruksion, ndërkohë që vazhdon procesi i nënshkrimit të kontratave nëpër njësitë administrative, si dhe lëvrimi i pagesave.
S.L.