Argjentina është në ankth për Lionel Messin vetëm pak javë nga fillimi i Botërorit të kësaj vere.

Ylli argjentinas i Inter Miamit që thuajse nuk zëvendësohet kurrë, e la fushën e lojës në ndeshjen me Philadelphia Union në minutën e 73 me skuadrën nga Florida që e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 6-4 ku Luis Suarez shënoi një tregolësh.

Në këtë ndeshje, Messi dha 2 assiste për Berterame që shënoi një dygolësh. Por në minutën e 71 të ndeshjes Messi u pa të prekte bicepsin femoral të majtë.

Nuk ka dalë ende një diagnozë paraprake për këtë problem të Lionel Messit me 38 vjeçarin që ka pasur probleme me bicepsin femoral edhe 2 herë të tjera gjatë 3 sezoneve të tij me Inter Miami në Major League Soccer.

Argjentina është në Grupin J të Botërorit të Kanadasë, Meksikës dhe SHBA së bashku me Algjerinë, Austrinë dhe Jordaninë. Skuadra Albiceleste shkon në këtë kompeticion si skuadra kampione e botës në fuqi dhe do të përpiqet të mbrojë këtë titull.