Industria e peshkimit ka qenë ndër më të zhvilluarat në Durrës. Afërsia e qytetit me detin ka bërë që peshkimi të jetë një sektor mjaft fitimprurës, madje që në periudhën e mbretërimit të Zogut apo gjatë viteve të pushtimit italian. Në të njëjtën kohë ai ka mbajtur me punë dhe me të ardhura shumë familje që e kishin lidhur jetën e tyre me të. Ndërsa u shpresua që në këto vite demokraci gjërat do të ecnin më mbarë për peshkimin, duket se situata ka marrë të tatëpjetën.

Mosha e vjetër e një pjese të mirë të anijeve, mungesa e remonteve pas shkatërrimit të Kantierit Detar, çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e portit të ri të peshkimit e ka çuar këtë sektor drejt degradimit. Dhjetëra anije, thuajse të shkatërruara rrezikojnë të pasojnë fatin e shumë simotrave të tyre që tashmë janë mbytur në basenin e portit. Pamundësia e pronarëve të tyre për t’i riparuar dhe vënë në punë tashmë duket se e ka shënjuar fatin e tyre të trishtë.

Sipas peshkatarëve dhënia e Kantierit Detar kompanisë turke Kurum solli shkatërrimin e gjithçkaje që ishte ndërtuar me shumë mund për vite e vite me rradhë. Në shtegun e ngushtë që ndan sektorin e peshkimit nga ambientet e ish Kantierit Detar na pret kreu i sindikatës së peshkimit Klodjan Kapiti. Ai është ndër të paktët peshkatarë që e ngriti zërin, teksa nga përtej “murit të Berlinit”, kufirit që ndante bankinën e peshkimit e Kantierin, pa motosharrat që prisnin slipin e peshkatarëve.

Fatkeqësisht zëri i tij u mbyt nga të çjerrat e zhurmat për portin e ri, të trumbetuara nga drejtuesit portualë. “Trejanë problemet kryesore që po çojnë drejt shkatërrimit një prej industrive më të rëndësishme në qytetin bregdetar; mungesa e një porti të ri për anijet, çmimi i lartë i karburantit, i cili vjen me çmim burse + TVSH (rreth 170 lekë për litër) dhe mungesa e një kantieri për riparimin e anijeve.

Brenda 12 muajsh 70% e të gjitha anijeve të peshkimit në Durrës do të përfundojnë në basenin ujor të mbytura, për shkak të mungesës së shërbimeve që duhet t’u kryhen rregullisht të paktën një herë në vit”,- thotë Kapiti. Deklarata e Kapitit duhet të tingëllojë si këmbanë alarmi për drejtuesit portualë, pasi në harkun kohor të një viti i gjithë baseni i peshkimit do të mbushet plot e përplot me anije të mbytura duke shkaktuar kështu një situatë mjaft të rëndë mjedisore dhe duke rrezikuar që në të ardhmen të paguhet një kosto shumë e lartë për nxjerrjen e tyre nga thellësitë ujore.

Por duket se kjo këmbanë tingëllon shumë e dobët për drejtuesit e Autoritetit Portual, që tashmë krenohen me projektin e portit të ri të peshkimit. Është fatkeqësi që një Kantier Detar iu dha një kompanie të huaj për t’u shitur për skrap, që dhjetëra pajisje u sharruan për t’u shitur si hekurishte dhe për më tepër që një sektor i tërë i industrisë në Durrës po shkon drejt shkatërrimit e asnjë titullar nuk e vë ujin në zjarr.   

Në masterplan nuk parashikohet remonti i anijeve

Pasi një Kantieri të tërë iu vu “shkelmi” dhe u shkatërrua në emër të një konçesioni të pastudiuar, në masterplanin e vitit 2009, të hartuar nga ekzekutivi shqiptar, nuk është parashikuar asnjë hapësirë që do t’i rezervohej riparimit të anijeve. Kantieri Detar kaloi nën administrimin e APD-së për shërbime portuale. Në këtë mënyrë Autoriteti Portual i hoqi të drejtën pronarëve të anijeve ta kryenin remontin e tyre në vend e për më tepër u hoqi mundësinë mijëra specialistëve dhe punëtorëve të thjeshtë të siguronin një vend pune dhe të ardhura për familjet e tyre. Prerja dhe mbytja e dokut nga kompania turke u bë pikërisht për këtë qëllim, meqë pala shqiptare nuk e kishte parë të arsyeshme funksionimin e tij. Por edhe nëse dikush do të ngrinte pretendimin se doku ishte i vjetër dhe nuk mund ta kryente funksionin e tij, APD u hoqi të drejtën edhe investitorëve privatë që të sillnin një pajisje të re për remontin e anijeve duke mos lënë asnjë hapësirë në masterplan. Me pak fjalë APD u thotë pronarëve të mjeteve lundruese t’i kryejnë remontet jashtë vendit, pavarësisht se një proces i tillë mund t’u kushtojë atyre më shtrenjtë. Vërtet në gjithë këto vite është punuar për të ndryshuar imazhin e portit të Durrësit dhe për ta kthyer atë në një port modern, por vendime të tilla të pa studiuara ose të bëra me qëllim cënuan interesat e dhjetëra pronarëve të mjeteve lundruese dhe mijëra punëtorëve të Kantierit Detar që u hodhën në rrugë të madhe.