Ushtria amerikane njofton se ka kryer një tjetër sulm ndaj një varke që e akuzon se përdorej për trafik droge në Detin e Karaibeve, duke vrarë tre persona të dielën, 19 prill.

Fushata e administratës së Donald Trump për shkatërrimin e mjeteve të dyshuara për trafik droge në ujërat e Amerikës Latine vazhdon që nga fillimi i shtatorit 2025 dhe ka shkaktuar të paktën 181 viktima në total. Sulme të tjera janë kryer edhe në Oqeanin Paqësor lindor, ndërsa të paktën 54 mjete lundruese janë shënjestruar gjatë kësaj fushate.

Pavarësisht luftës me Iranin, këto sulme janë intensifikuar sërish gjatë javës së fundit, duke treguar se masat agresive të administratës për të ndalur atë që e quan “narko-terrorizëm” në hemisferën perëndimore nuk po zbuten. Megjithatë, ushtria nuk ka paraqitur prova se ndonjë prej këtyre mjeteve transportonte drogë.

Një zëdhënës i Komandës Jugore të SHBA-ve ka deklaruar më parë për CBS News:

Për arsye të sigurisë operacionale, nuk mund të diskutojmë burimet apo metodat specifike.

Sulmet nisën në një kohë kur SHBA-të po rrisin praninë e saj ushtarake në rajon në nivele që nuk ishin parë prej dekadash, dhe erdhën disa muaj përpara operacionit në janar që çoi në kapjen e presidentit të atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro. Ai u dërgua në New York për t’u përballur me akuza për trafik droge dhe është deklaruar i pafajshëm.

Në sulmin më të fundit të së dielës, Komanda Jugore përsëriti deklaratat e mëparshme duke thënë se kishte shënjestruar trafikantë të dyshuar përgjatë rrugëve të njohura të kontrabandës. Ajo publikoi një video në platformën X, ku shihej një varkë duke lëvizur në ujë, përpara se të përfshihej nga një shpërthim i madh dhe flakë.

Trump ka deklaruar se SHBA-të janë në “konflikt të armatosur” me kartelet në Amerikën Latine dhe i ka justifikuar këto sulme si një përshkallëzim të nevojshëm për të ndalur rrjedhën e drogës drejt Shteteve të Bashkuara dhe vdekjet nga mbidozat. Megjithatë, administrata e tij ka ofruar pak prova për të mbështetur pretendimet se po vret “narko-terroristë”.