Kardinalët katolikë të botës, janë mblodhur këtë të hënë për herë të parë pas varrimit të Papa Franceskut për të diskutuar një datë të mundshme për të hyrë në një konklav sekrete dhe për të zgjedhur liderin e ri të Kishës globale. Çdo vendim mund të shpallet rreth mesditës, ndërsa konklava nuk pritet të nisë para 6 Majit.
Kapela Sistine, që daton nga shekulli i 16-të, ku mbahen konklavat, u mbyll për turistët të hënën për t’u mundësuar përgatitjet për votimin. Dy konklavat e fundit, në vitet 2005 dhe 2013, zgjatën vetëm dy ditë.
Por, kardinali suedez Anders Arborelius, tha të hënën se ai pret që kjo konklav të zgjasë më shumë, pasi shumë prej kardinalëve të emëruar nga Papa Françesku nuk janë takuar kurrë më parë me njëri-tjetrin.
Papa Françesku e kishte bërë prioritet emërimin e kardinalëve nga vende që nuk kishin pasur kurrë të tillë, si Mianmari, Haitia dhe Ruanda.
“Ne nuk e njohim njëri-tjetrin,” tha Arborelius, njëri prej rreth 135 kardinalëve nën moshën 80 vjeçare që do të hyjnë në konklav.
Papa Françesku, që ishte Papë që nga viti 2013, vdiq më 21 Prill në moshën 88 vjeçare.
Kardinali gjerman Walter Kasper i tha gazetës “La Repubblica” se reagimi masiv i besimtarëve për Papa Franceskun tregonte se katolikët dëshironin që Papa i ardhshëm të vazhdonte me stilin e tij reformist.
Papa Françesku, i pari Papë nga Amerika Latine, përpiqej kryesisht të hapte Kishën, e cila shpesh ishte mjaft e ngurtë, për biseda të reja. Ai lejoi diskutime për çështje si shenjimi i grave si klerikë dhe angazhimi me katolikët LGBTQ.
“Populli i Zotit votoi me këmbët e tij,” tha Kasper, i cili është 92 vjeç dhe nuk do të marrë pjesë në konklav. “Jam i bindur se ne duhet të vazhdojmë në gjurmët e Franceskut.”
Megjithatë, një grup kardinalësh konservatorë është i sigurt se do të kundërshtojnë këtë dhe do të kërkojnë një papa që të riafirmojë traditat dhe të kufizojë vizionin e Franceskut për një Kishë më të përfshirë.