Përleshje të ashpra mes grupeve rivale të armatosura shpërthyen të hënën në mbrëmje në kryeqytetin libian, Tripoli, duke detyruar Ministrinë e Brendshme të bëjë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda nëpër shtëpitë e tyre për arsye sigurie.
Pa dhënë shumë detaje, Ministria e Brendshme e Qeverisë së Unitetit Kombëtar (me seli në Tripoli) lëshoi një njoftim duke i bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të qëndrojnë në banesat e tyre për sigurinë e tyre”.
Sipas mediave libiane, përplasjet ndodhën mes grupeve të armatosura nga Tripoli dhe fraksioneve rivale nga Misrata – një qytet-port i madh, rreth 200 kilometra në lindje të kryeqytetit.
Sipas rrjetit informativ Al Jazeera, të shtëna sporadike me armë të rënda dhe të mesme u dëgjuan në lagjet jugore të qytetit pas orës 21:00 (me orën lokale), menjëherë pas vrasjes së një udhëheqësi të fuqishëm milicieje.
Burime të sigurisë konfirmuan vrasjen e Abdel Ghani al-Kiklit, i njohur gjerësisht si “Ghneiwa”, i cili ishte kreu i milicisë së fuqishme Autoriteti për Mbështetjen e Stabilitetit. Pas vrasjes, shpërthyen përleshje dhe të shtëna në disa zona të Tripolit.
Al-Kikli ishte një nga liderët më të fuqishëm të milicive në kryeqytet dhe kohët e fundit kishte pasur përplasje me grupe të armatosura rivale, përfshirë fraksione të lidhura me Misratën.
Pamje të rënda janë publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen persona të plagosur rëndë në rrugë.
Libia vazhdon të përballet me vështirësi për të lënë pas vitet e luftës dhe kaosit që pasuan kryengritjen e vitit 2011 dhe rrëzimin e regjimit të Muamar Gadafit. Sot, vendi mbetet i ndarë në dy pjesë: me një qeveri në Tripoli, të njohur nga OKB-ja, dhe një tjetër konkurrente në lindje, e mbështetur nga familja e gjeneralit Khalifa Haftar.
Edhe pse në vitet e fundit ka pasur një farë stabiliteti relativ, përplasjet e armatosura shpërthejnë herë pas here mes një morie grupesh të armatosura që veprojnë në vend, në kuadër të luftës për pushtet apo kontroll të zonave të ndikimit.
Në gusht të vitit 2023, përplasjet mes dy grupeve të fuqishme në Tripoli lanë të paktën 55 të vdekur.
Mbrëmjen e djeshme, shumë bashki të kryeqytetit dhe periferive të tij, përfshirë edhe Universitetin e Libisë, njoftuan se institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura sot dhe deri në një njoftim të dytë.
Më herët, Misioni i Mbështetjes së OKB-së në Libi dhe Ambasada e SHBA-së në Tripoli bënë thirrje për qetësim të situatës, duke nxitur “të gjitha palët” të shmangin përshkallëzimin, të përmbahen nga provokimet dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.
Misioni i OKB-së theksoi se “është i shqetësuar për situatën e sigurisë që po zhvillohet në Tripoli” dhe rikujtoi të gjitha palët për “detyrimin e tyre për të mbrojtur civilët në çdo kohë”.