Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë të Indonezisë, ku një pilot është arrestuar pasi në bagazhin e tij u gjetën më shumë se 70 mijë tableta ekstazi (MDMA), ndërsa analizat rezultuan pozitive edhe për kokainë dhe metamfetaminë.

Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara të hënën, tregojnë momentin kur piloti, shtetas malajzian, kalon kontrollin në aeroport. Gjatë inspektimit të bagazhit, punonjësit e aeroportit zbulojnë një qese me tableta ekstazi.

Sipas raportimeve, ai kishte me vete edhe një shishe me urinë, me të cilën dyshohet se synonte të manipulonte testin e drogës për të shmangur zbulimin e substancave narkotike.

Sipas informacioneve të publikuara nga Deutsche Welle, piloti 39-vjeçar, i identifikuar vetëm me inicialet MS, u arrestua menjëherë pasi kishte përfunduar një fluturim pasagjerësh nga Kuala Lumpur drejt Xhakartës, mbrëmjen e 29 korrikut.

Megjithëse autoritetet nuk kanë bërë publik emrin e kompanisë ajrore ku ai ishte i punësuar, numri i fluturimit tregon se bëhej fjalë për një avion të Malaysia Airlines.

Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë gjetën 14 pako me tableta ekstazi në valixhen e pilotit, si edhe katër gramë metamfetaminë në bagazhin e dorës.

Sipas hetimeve paraprake, piloti kishte pranuar të transportonte lëndët narkotike pas kërkesës së një personi të paidentifikuar, kundrejt një pagese prej 12 240 dollarësh.

Autoritetet deklaruan gjithashtu se analizat e urinës rezultuan pozitive për metamfetaminë, MDMA dhe kokainë, duke ngritur dyshime se piloti kishte drejtuar avionin nën efektin e lëndëve narkotike.

“Fakti që ky person ushtron profesionin e pilotit është jashtëzakonisht shqetësues. Në momentin kur mbërriti, sapo kishte pilotuar një avion nga Kuala Lumpur drejt Indonezisë”, deklaroi një prej zyrtarëve që po hetojnë çështjen.

Nga ana e saj, Malaysia Airlines nuk ka komentuar drejtpërdrejt rastin, por në një deklaratë theksoi se kompania nuk toleron asnjë formë shkeljeje dhe se ka nisur një hetim të brendshëm.