31 gusht 2015 –  Mes 10 mijë shqiptarëve, që punojnë dhe jetojnë dhe me kontribut të madh në përparimin urban të kryeqytetit të Kazakistanit është edhe inxhinieri hidroteknik (ndërtim-ura) nga Durrësi, i kualifikuar dhe për energji nga era dhe dielli Kastriot Pronjari. Është punësuar para pak kohësh në kompaninë e madhe të ndërtimit “Mabetex Group” të biznesmenit të suksesshëm, politikanit (ish-President dhe ish-deputet i Kuvendit i Republikës së Kosovës), Nderi i Kombit i Shqipërisë, Behgjet Pacolli.

60 VJEÇ, TË PUNOSH “PRAPA DIELLIT”

Ndonëse i rraskapitur në emigracion, me moshë mbi 60 vjeç, Kastriot Pronjari i është futur një aventure të vështirë në Kazakistanin e largët, duke punuar sikurse thotë ai, “11 orë në diell”! Një fotografi e Kastriotit e postuar në rrjetin social FB (poshtë), ku duket i nxirë dhe tejet i dobësuar, ka ngjallur dhe admirimin e miqve (“je më trimi nga në të gjithë” i shkruan shkrimtari dhe studiuesi durrsak Met Dervishi në FB; “alamet inxhinieri je”, i thotë arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj etj). Pronjari po punon në ndërtimin e qytezës “EXPO 2017 Future’s Energy” në Astana të Kazakistanit, që po realizohet nga “Mabetex Group”.

NGA UNIVERSITETI NË TEC-ET E DRINIT

Kastriot Pronjari ka mbaruar të mesmen në shkollën “Naim Frashëri” Durrës; u diplomua inxhinier ndërtimi në Universitetin e Tiranës, ku studioi në vitet 1972-1978. Pati një përvojë të shkëlqyer në ndërtimin e veprave të artit në HEC-et e kaskadës së Drinit. Për disa vjet, deri më 1991, ka qenë inxhinier në ish-ndërmarrjen shtetërore tregtare të ushqimit social Durrës. Shkoi në emigracion në Greqi ku bëri punë të ndryshme. Punoi për pak kohë në një firmë private në Tiranë. Bëri një kualifikim për energji diellore dhe eolike në Madrid në  La Universidad Camilo Jose Cela  në vitin 2011.

Info / EXPO 2017 Future’s Energy

EXPO 2017 është një ekspozitë ndërkombëtare planifikuar të hapet 10 qershor-10 shtator 2017, në Astana, Kazakistan (shih fotot e projektit: ja si do të jetë). Më 22 nëntor 2012 Astana u zgjodh nga Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave si vendi mikpritës i Expo-2017, në qendër të së cilës do të jetë tema " Energjia e së ardhmes". Më shumë se 100 vende dhe 10 organizata ndërkombëtare pritet të marrin pjesë. Rreth 2-3 milionë njerëz pritet të vizitojnë pavijonet ndërkombëtare nga qershori deri në shtator 2017.

Për “EXPO-2017” janë akorduar 283 milionë euro nga buxheti i shtetit i Kazakistanit. Kostoja totale do të arrijë në mbi 3 miliardë dollarë. 

Në qytezën e EXPO-s do të jetë pavijoni kombëtar i Kazakistanit në formën e një sfere (7 855 metra katror), 4 pavijone tematike (8 800 metra katror), pavijonet e vendeve pjesëmarrëse (47 160 metra katror), të korporatave dhe OJQ-ve (9 560 metra katror), si dhe Zona e praktikave më të mira (3 350 metra katror). Në përgjithësi, në krejt qytezën do të ngrihen 38 objekte.

Zona jashtë ekspozitës përfshin qendrën për konferenca, qendrën për shtypin, qytetin e mbuluar, banesat dhe hotelet. Është planifikuar që objektet e EXPO-s do të furnizohen me energji të "gjelbër" nga era, dielli dhe burime të tjera alternative.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/