Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona gjatë mbrëmjes së djeshme në qytet teksa po shkonin nga Laçi për në qytetin jugor me qëllim shitjen e dy minave me telekomandë.

Policia bën me dije se janë arrestuar një 33-vjeçar dhe një 19-vjeçar, xhaxhai dhe nipi, të cilëve iu kapën dy mina me telekomandë në kroskotin e makinës.

Shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Vlorës, ndaluan automjetin me të cilin lëviznin 2 të arrestuarit.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale”, njofton policia.

Nuk dihet ende se cilët do të ishin blerësit e këtyre minave si edhe në çfarë ngjarjesh kriminale do të përdoreshin, por duket se në Laç është një pikë që prodhon mina të tilla pasi edhe herë të tjera policia ka kapur mina me telekomandë me origjinë nga ky qytet.