Operatori ekonomik “Autora Specialty Chemistries” me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) është ankuar pranë Gjykatës së Tenderëve, duke pretenduar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Aktifos në TCA” ka bërë shkelje të nenit 28.7 të Ligjit të prokurimit publik, përkatësisht tek specifikimet teknike.

Operatori nga SHBA-të në ankesën e tij po ashtu potencon se KEK-u ka publikuar tenderin me emër specifik të produktit, duke mos ia bashkangjitur fjalën “ose ekuivalent”, me ç’rast ka limituar konkurrencën tek vetëm një prodhues, shkruan Zëri.

“Operatori ankues konstaton se KEK nuk iu ka dhënë mundësinë kompanive tjera kimike që të konkurrojnë me prodhimet e tyre, me emra të ndryshëm, por produkte ekuivalente karakteristike”, thuhet në një njoftim të Organit Shqyrtues të Prokurimit(OSHP).

Ky i fundit, pas pranimit të ankesës, ka autorizuar ekspertin shqyrtues për të shqyrtuar aktivitetin e prokurimit, si dhe vlefshmërinë e te gjitha pretendimeve të operatorit ekonomik ankues "Aurora Specialty Chemistries".

Eksperti shqyrtues me datën 18.04.2013 ka dorëzuar raportin e ekspertizës, nga ku rezulton se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë plotësisht të bazuara.

Më tutje eksperti shqyrtues i prokurimit konstaton se Autoriteti kontraktues ka përcaktuar në dosjen e tenderit specifikime teknike, të cilat i janë referuar një artikulli të veçantë me karakteristikat e tij dhe se në dosje janë parashtruar specifikime teknike që kanë reduktuar konkurrencën për atë lloj furnizimi që ka pasur nevojë autoriteti kontraktues.

Eksperti shqyrtues në raportin e tij po ashtu potencon se autoriteti kontraktues nuk bënë të përpilojë specifikime teknike që i referohen një artikulli të veçantë, ose ndonjë prodhimi të veçantë si në rastin konkret.

”Ne raste të jashtëzakonshme autoriteti kontraktues mundet t’i referohet një artikulli te tillë (kur nuk mundet të hartojë specifikime të sakta dhe të kuptueshme për lëndën e caktuar), mirëpo në këto raste referimi i tillë duhet të shoqërohet me fjalët "ose ekuivalent"”, thuhet mes tjerash në vendimin e ekspertit shqyrtues.

Autoriteti kontraktues, sipas ekspertit, ka specifikuar një artikull i cili lehtësisht mundet të zëvendësohet edhe me prodhime te tjera për rastin konkret, të cilat janë shumë më të avancuara dhe përdoren në industrinë bashkëkohore dhe kanë elemente mbrojtëse ndaj mjedisit dhe ambientit përreth.

Prandaj eksperti shqyrtues konsideron që hartimi i specifikacionit teknik ka qenë eliminues për kompani që prodhon produkte me efekte shumë më të mira se produkti i kërkuar.

Operatori ekonomik ankues " Aurora Specialty Chemistries" pas pranimit te raportit të ekspertit shqyrtues~ ka njoftuar Panelin Shqyrtues se qëndron pranë pretendimeve ankimore të parashtruara në ankesë.

KEK pajtohet me rekomandimet e ekspertit shqyrtues

Edhe Korporata Energjetike e Kosovës po ashtu me datë 25.04.2013 përmes parashtresës njofton panelin shqyrtues se pajtohen me konstatimet dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues të prokurimit.