Me të njëjtin emocion si 100 vjet më parë  grupi i shqiptareve nga Kosova kaluan në Durrës në ditën e 13 të rrugëtimit në këmbë nga Gjilani drejt Vlorës. Me vete mbajnë simbolin kombëtar dhe mesazhin e një kombi të bashkuar në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Ata kanë qenë pjesëmarrës në UÇK dhe vijnë në Shqipëri me mesazhin e bashkimit kombëtar. Kryetari i grupit është Ekremi, i cili tregon për rrugëtimin rreth dy javor. “U nisëm nga Gjilani dhe e morëm këtë udhëtim drejt Vlorës për të dërguar amanetin e të gjithë shqiptarëve të rënë, të Bujanovcit, Medvegjës e të gjithë Kosovës në këtë përvjetor mjaft të rëndësishëm për kombin tonë për të gjithë ne shqiptarët anembanë. Do ta dërgojmë amanetin e tyre në Vlorë, sepse ata nuk janë fizikisht midis nesh”,- thotë Ekremi.

Këtij rrugëtimi të lodhshëm që nisi në 12 nëntor i janë bashkuar 11 persona. Nga Gjilani u nisën katër patriotët e parë dhe gjatë rrugës u bashkuan edhe të tjerë. Dilaver Musliu festoi 66 vjetorin e lindjes në Rrogozhinë gjatë kohës, kur po udhëtonin drejt Vlorës.

“Unë përfaqësoj komunën e Preshevës. Ideja jonë për të ndërmarrë këtë udhëtim në kombin shqiptar është përcjellja e mesazhit se ne shqiptarët e luginës së Preshevës jemi ende nën pushtimin e Shkjaut. Festa e madhe e kombit tonë nuk festohet në Preshevë. Jemi 100 mijë banorë në Preshevë. Jam i lumtur që jam këtu në kombin shqiptar për t’i dhënë mesazhin të gjithë botës se ne jemi të bashkuar si shqiptarë”,- thotë Dilaveri.

Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit thotë se është këtu, në këtë rrugëtim, për të përfaqësuar popullsinë e komunës së Vushtrisë. “Nga komuna e Vushtrisë u bashkangjita grupit me qëllim që ta ngremë flamurin Kuqezi së bashku në Vlorë e për t’i treguar mbarë botës se jemi një komb i bashkuar”,- thotë Musli Shala. 

Midis tyre është edhe një profesor nga Kosova, i cili po përshkon të gjithë trojet shqiptare në këmbë. Ai thotë se bashkë me tre të tjerë ju bashkangjit grupit në Prizren. Gjatë gjithë rrugës të gjithë qytetarët i kanë përshëndetur, ju kanë hapur shtëpitë e tyre për të pushuar e për të fjetur. “Në Vlorë shkojmë të çojmë mesazhin se Kosova, Shqipëria e të gjithë trojet etnike janë një. Falë zotit një ditë do të bëhet Shqipëria e madhe e të gjitha trojet do të jenë në një trung.

Midis grupit të patriotëve janë edhe dy emigrantë nga Zvicra dhe një tjetër që u nis nga Suedia për të marshuar drejt Vlorës. Qemal Amdiu është nga Kumanova e Maqedonisë, po prej vitesh jeton e punon në Zvicër. “Unë jetoj në Zvicër dhe kam vendosur të udhëtoj në trojet shqiptare nëpër Kosovë e Shqipëri. Ju uroj për festën dhe mesazhi im shkon për të gjithë politikanët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Së paku këto ditë të dalin të bashkuar, pa ngjyrime politike, të tregojnë para popullit se janë të bashkuar”,- thotë ai. Ndërkohë emigranti nga Suedia tregon se ka vendosur t’i bashkohet grupit sapo ka marrë vesh për rrugëtimin e tyre.

“Nga Suedia u nisa dhe erdha në Drenicë, për t’iu bashkuar këtij marshimi. Sapo e mësova për marshimin e tyre e lashë familjen në Suedi dhe u nisa. Më tërhoqi zemra dhe deri në ditën e fundit nuk i thashë gjë familjes. Preva biletën dhe atëherë u tregova. Edhe ata u gëzuan. Do të shkel pëllëmbë për pëllëmbë në emër të atdhetarisë e kombit trojet shqiptare. Kjo është festa e madhe e të gjithë Shqiptarisë dhe jo vetëm e Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët kanë festë, nga Zelanda e Re, Australia Kanadaja dhe Europa. Ju uroj gëzuar të gjithë shqiptarëve festën e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe bashkim sa më të shpejtë të kombit nën një trung”,- thotë emigrant nga Suedia. Moti i ftohtë dhe lodhja nuk i ka penguar këta patriotë të vazhdojnë rrugëtimin, mbi supet e të cilëve qëndron simboli i kombit shqiptar.