Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të Policisë, u parandala një ngjarje e mundshme kriminale në fshatin Lulëzim, Memaliaj. Një 53-vjeçar, i cili ushtronte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste, u arrestua në flagrancë nga shërbimet e policisë.
Uniformat blu, gjatë kontrollit të banesës së tij, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, e cila u mor si provë materiale dhe do të përdoret në hetimet e mëtejshme. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, nën drejtimin e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit për dhunën dhe kërcënimet ndaj bashkëshortes së tij. Falë reagimit të shpejtë, u evitua një ngjarje e mundshme kriminale dhe u garantua siguria e viktimës.
Policia njofton se shtetasi i arrestuar, me iniciale L. D., banues në fshatin Lulëzim, Memaliaj, do të përgjigjet për veprat penale të dhunës në familje dhe kërcënimit me vdekje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për procedim të mëtejshëm ligjor.





