Një 21-vjeçar ka tentuar të grabisë 42-vjeçaren Suzana Dusha nën kërcënimin e thikës.

Marash Gjoklaj, që sipas Policisë njihet si përdorues i lëndëve narkotike, duke mbajtur në dorë një thikë, i ka thënë 42-vjeçares, e cila sapo kishte bërë pazarin, që t’i jepte paratë që kishte me vete.

Tentativa e 21-vjeçarit jo vetëm që ka dështuar, por vetë ai përfundoi për disa orë në bodrumin e një pallati dhe është dhunuar fizikisht nga 3 persona.

Mariglen Dusha, djali i gruas që ai kërcënoi me thikë për ta grabitur, e mori peng bashkë me dy shokët e tij, fillimisht duke e futur në bagazhin e makinës, më pas e transportuan disa metra më tej, në bodrumin e një pallati, ku ushtruan dhunë fizike ndaj tij.

Policia që ishte njoftuar më parë për tentativën e grabitjes, pas disa orësh mësoi edhe për “hakmarrjen” e tre të rinjve, që duke bërë vetëgjyqësi, i kishin hequr lirinë në mënyrë të paligjshme autorit.

Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se mbrëmjen e së shtunës u arrit të arrestohen të katërt personat e përfshirë në ngjarje.

U arrestua pengu, Marash Gjoklaj, 21-vjeç, për kanosje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, si dhe pengmarrësit, Mariglen Dusha, 21-vjeç, Genard Driza, 25-vjeç e Ervin Ebipi, 23-vjeç, për heqje të paligjshme të lirisë, kryer në bashkëpunim.