Akset mbi të cilat do të bazohen negociatat të cilat pritet të mbahen javën e ardhshme në Arabinë Saudite ndërmjet përfaqësuesve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, janë analizuar nga këshilltari i Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podoliak , në një intervistë për BBC.

Sipas Podoliak, plani përfshin diskutime mbi marrëveshjen e mineraleve, ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe formatin e dialogut të paqes me Moskën.

“Në këto procese dypalëshe duhet të diskutohen tre aspekte kryesore – së pari një marrëveshje kuadër për lëndët djegëse fosile, e cila është ende në formulim. Së dyti, ndihma ushtarake për Ukrainën dhe së treti, cila mund të jetë forma e procesit të negociatave me Rusinë. Çfarë etapash mund të ketë dhe si do të dakordoheshin qëndrimet mes nesh, Evropës dhe SHBA-së?!”, deklaroi Podoliak.

Siç tha ai më pas, në këtë fazë, zyra e Zelenskit dhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump po zhvillojnë dialog të drejtpërdrejtë rreth takimit të ardhshëm dypalësh, ku Riadi konsiderohet si një vend i mundshëm për pritjen e tij.

Gjithashtu, është planifikuar që Zelensky fillimisht të ketë bisedime zyrtare me përfaqësuesit e Arabisë Saudite (Princi i Kurorës Mohammed bin Salman) dhe më pas të mbahet një takim i veçantë në nivel të përfaqësuesve të administratës amerikane dhe ukrainase.

Duke folur për ndihmën ushtarake, Podoliak vuri në dukje se vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’i ofrojnë forcave të armatosura ukrainase disa lloje armësh me rëndësi kritike, siç janë raketat për sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Sipas këshilltarit të Zelensky-t, “Shtetet e Bashkuara po menaxhojnë procesin e negociatave në lidhje me Ukrainën dhe Evropën mjaft fort”.

Në një intervistë tjetër që dha për median franceze “Le Point”, Podoliak sqaroi se Ukraina nuk ka asnjë arsye t’i kërkojë falje SHBA-së për bisedën e nxehtë të Zelenskit me Trump dhe Vance në Zyrën Ovale. “Ka pasur të drejtë, nuk gaboi”, tha ai.