Kina e ka lidhur vendosjen e rregullave të reja të ashpra për zinxhirët e furnizimit me luftën në Iran dhe një mosmarrëveshje për portet në Panama, duke paralajmëruar se ato janë “vetëm fillimi”, çka rrit tensionet përpara një samiti muajin e ardhshëm mes udhëheqësit Xi Jinping dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kufizimet e reja, të shpallura këtë muaj, synojnë të mbrojnë zinxhirët e furnizimit të Kinës nga ndërprerjet dhe sanksionet e huaja. Ato zgjerojnë ndjeshëm përkufizimin e asaj që konsiderohet ndërhyrje në çështjet tregtare të vendit dhe përfshijnë ndëshkime të rënda për shkelësit, si ndalimi për të dalë nga vendi.

“Shtrirja e këtyre rregulloreve shkon përtej çështjeve tregtare dhe ekonomike”, tha Yuyuan Tantian, një llogari në rrjetet sociale e drejtuar nga China Media Group, zëdhënëse e Partisë Komuniste Kineze. Ajo shtoi se masat janë vetëm një “pikënisje”.

“Pritet më shumë legjislacion, ndërsa Kina vazhdon të përmirësojë sistemin e saj ligjor për çështjet që lidhen me marrëdhëniet me jashtë.”

Sipas saj, veprime të tilla si kërcënimet e SHBA-së për të vendosur sanksione dytësore ndaj bankave kineze për përfshirjen në blerjen e naftës iraniane, si dhe anulimi i koncesioneve të porteve në Panama të kompanisë me bazë në Hong Kong, CK Hutchison, krijojnë rreziqe për kompanitë kineze.

Masat rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet vetëm pak javë përpara takimit të planifikuar mes Trump dhe homologut të tij kinez në Pekin, ku pritet të diskutohet zgjatja e një armëpushimi njëvjeçar në luftën e tyre tregtare.

Kina pothuajse i ka trefishuar kontrollet e reja të eksportit gjatë pesë viteve të fundit, duke forcuar dhe formalizuar një fushatë kundërpërgjigjeje ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të frenuar avancimet e saj në teknologjitë e larta, si gjysmëpërçuesit.

Pekini shpalli këtë muaj dy paketa të reja rregullash, të njohura si urdhrat 834 dhe 835, të cilat synojnë të mbrojnë sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe të kundërshtojnë përpjekjet e huaja për të ushtruar kontroll jashtë juridiksionit mbi kompanitë kineze, për shembull përmes sanksioneve.

Këto masa janë pjesë e një rrjeti në zgjerim rregulloresh kineze që mund të përdoren për të ndëshkuar kompanitë, që zbatojnë kontrolle eksporti të huaja ose masa të tjera që bllokojnë aksesin në tregun kinez ose kufizojnë aftësinë e vendit për të importuar mallra thelbësore.

Rregullat synojnë gjithashtu të mbrojnë kompanitë kineze jo vetëm nga goditjet e drejtpërdrejta, por edhe nga pasojat anësore.

Analistët thonë se rregullat e reja ka gjasa të rrisin tensionet me partnerët tregtarë të Kinës, të cilët argumentojnë se këto masa janë proaktive dhe jo thjesht një përgjigje ndaj veprimeve të ngjashme nga SHBA apo Europa.

Yuyuan Tantian paralajmëroi se rregullat mund të përshtaten sipas nevojës për të përballuar veprimet e huaja dhe se masat jashtë juridiksionit të huaj nuk do të shkaktojnë automatikisht kundërpërgjigje.

Kina ka përdorur prej vitesh mjete informale presioni tregtar, si ndalimi i eksportit të metaleve të rralla, thelbësore për prodhimin, drejt Japonisë në vitin 2010, ose ndëshkimi i Australisë duke mos blerë mallrat e saj pasi Canberra kërkoi një hetim të pavarur për origjinën e pandemisë Covid-19.

Disa vëzhgues argumentojnë se ligjet e publikuara këtë muaj ndoshta janë hartuar shumë kohë përpara shpërthimit të luftës SHBA-Izrael në Iran dhe nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt këtij konflikti.

Ligjet kanë ngjallur shqetësim të veçantë te kompanitë shumëkombëshe për shkak të ndëshkimeve potencialisht të ashpra, që përfshijnë ndalimin e punonjësve që ndodhen në Kinë gjatë hetimeve për shkelje.

Kompanitë shumëkombëshe duhet të “rivlerësojnë ekspozimin e drejtuesve të tyre”, paralajmëroi firma ligjore Morgan Lewis në një analizë, duke shtuar: “Përgjegjësia e qartë penale dhe ndalimet për të dalë nga vendi rrisin ndjeshëm rrezikun personal për drejtuesit në Kinë.” / FT