Një punonjës i ambasadës amerikane në Yangon të Myanmarit është gjetur i vdekur, ka konfirmuar Departamenti i Shtetit i SHBA-së, duke shkaktuar reagime dhe nisje të hetimeve nga autoritetet lokale.
Zyrtarët amerikanë bënë të ditur se bëhet fjalë për “vdekjen e një punonjësi të qeverisë amerikane” që shërbente në ambasadën në Yangon, por nuk dhanë detaje të tjera, duke theksuar se informacioni po mbahet i kufizuar për arsye privatësie dhe respekti ndaj familjes.
Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia Associated Press, trupi i pajetë është gjetur rreth dy javë më parë në ambientet e “Sakura Residence & Hotel”, një hotel i frekuentuar nga diplomatë dhe biznesmenë ndërkombëtarë, jo shumë larg ambasadës amerikane në Yangon.
Autoritetet lokale po e trajtojnë ngjarjen si një rast të mundshëm vrasjeje, ndërsa në kuadër të hetimeve është ndaluar një shtetase tajlandeze. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Tajlandës ka njoftuar se po ndjek rastin dhe po punon për lirimin e gruas së ndaluar, duke thënë se ka informuar edhe familjarët e saj. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.





