Kina është në rrugën e duhur për t’u bërë prodhuesi më i madh i energjisë bërthamore në botë, me një total prej 112 reaktorësh bërthamorë në funksion, në ndërtim ose në fazë miratimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit numri i reaktorëve aktivë pritet të arrijë në 70.
Aktualisht, Kina kontinentale ka 62 reaktorë në funksion, 39 në ndërtim dhe 11 të miratuar, me një kapacitet total të instaluar prej 125 gigavatësh. Kapaciteti i projekteve në ndërtim përbën më shumë se gjysmën e totalit global, njoftoi Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore gjatë aktivitetit të zhvilluar në provincën Guangdong, me rastin e Ditës Kombëtare të Edukimit për Sigurinë 2026.
Midis viteve 2022 dhe 2025, qeveria kineze miratoi ndërtimin e 41 reaktorëve të rinj. Me një kosto mesatare prej rreth 20 miliardë juanësh për njësi, investimi në projektet e fundit tejkalon 800 miliardë juanë.
Zhvillimi i shpejtë i këtij sektori lidhet me synimin e Kinës për të garantuar sigurinë energjetike dhe për të arritur neutralitetin e karbonit, ndërkohë që vendi ka ndërtuar një zinxhir të plotë prodhimi dhe furnizimi në industrinë bërthamore. Aktualisht, Kina ka kapacitetin për të prodhuar komponentë kyç për më shumë se 10 reaktorë të rinj çdo vit.
Pothuajse të gjitha pajisjet kritike dhe materialet bazë prodhohen brenda vendit, me një nivel lokalizimi që tejkalon 90%. Siguria mbetet prioritet kryesor për China General Nuclear Power Group, operatorin më të madh shtetëror në këtë sektor, raportoi Xinhua. Sipas kryetarit Yang Changli, 28 reaktorët e kompanisë funksionuan pa probleme gjatë vitit 2025, pa ndërprerje të paplanifikuara.
Ndërkohë, Centrali bërthamor Daya Bay, centrali i parë komercial në shkallë të gjerë në vend, vazhdon të operojë në mënyrë të sigurt pas 32 vitesh. Ai ka furnizuar Hong Kongun me më shumë se 330 miliardë kilovat-orë energji elektrike, duke mbuluar rreth një të katërtën e nevojave të qytetit.





