Pekini kritikoi një plan të BE-së që synon të forcojë industritë e bllokut përballë konkurrencës së ashpër nga Kina, duke paralajmëruar kundërmasa nëse ai hyn në fuqi.
BE-ja prezantoi në mars rregulla të reja “Made in Europe” për kompanitë që kërkojnë të përfitojnë fonde publike në sektorë strategjikë, përfshirë makinat, teknologjinë e gjelbër dhe çelikun, duke i detyruar firmat të përmbushin pragje minimale për pjesët e prodhuara në BE.
Propozimi, i vonuar për muaj të tërë nga mosmarrëveshjet mbi masat, është pjesë kyçe e përpjekjes së Bashkimit Europian për të rifituar avantazhin konkurrues, për të frenuar rënien industriale dhe për të shmangur qindra mijëra humbje vendesh pune.
Ministria e Tregtisë e Pekinit tha se i kishte dorëzuar të premten Komisionit Europian komentet e saj, duke shprehur shqetësime serioze të Kinës lidhur me aktin, të cilin e quajti diskriminim sistemik.
“Nëse BE-ja vijon me legjislacionin dhe, në këtë mënyrë, dëmton interesat e kompanive kineze, Kina nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të marrë kundërmasa për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve të saj,” tha Ministria e Tregtisë e Pekinit.
Mediat shkruajnë se bizneset europiane në shumë prej sektorëve që preken nga propozimi janë ankuar prej kohësh se përballen me konkurrencë të pandershme nga rivalë kinezë të subvencionuar fuqishëm.
Propozimi i BE-së, i njohur zyrtarisht si “Akti për Përshpejtimin Industrial”, shënjestron në mënyrë të tërthortë prodhuesit kinezë të baterive dhe automjeteve elektrike, duke u kërkuar firmave të huaja të bashkëpunojnë me kompani europiane dhe të transferojnë njohuri teknologjike kur vendosen në bllok.
Dhoma Kineze e Tregtisë pranë BE-së tha këtë muaj se plani shënonte një zhvendosje drejt proteksionizmit, që do të ndikonte në bashkëpunimin tregtar mes BE-së dhe Kinës.





