Në rrugën e gjatë drejt integrimit europian me dhimbje kam vënë re se si politika shqiptare ka përvetësuar vetëm efektet anësore, duke humbur sensin e orientimit dhe objektivat e vërtetë, e duke lënë shpesh në harresë shqiptarët dhe sigurinë e tyre

Integra Onlus, shoqata të cilën kam themeluar dhe drejtoj prej vitit 2002, lufton çdo ditë për të hequr dorë nga demagogjitë dhe nga populizmi i fushatave elektorale që pengojnë integrimin e personave në kërkim jo vetëm të një pune, por edhe të një jete dinjitoze dhe të respektueshme edhe në tokë të huaj

Rreth 20 vjet më parë ajo u nis drejt Italisë, në kërkim të një jete më të mirë. Klodiana Çuka ndoshta se kishte menduar në atë kohë, se ajo, emigrantja që ndihej e huaj në vendin fqinjë, do të angazhohej një ditë për të mbrojtur të drejtat e bashkëatdhtarëve të saj. Megjithatë, duket se politika dhe angazhimi social ishin një shtysë e brendshme, të cilat ajo duhet vetëm t’i linte të zhvilloheshin. “Në të vërtetë unë kam dashur gjithnjë të merrem me politikë, sepse në zemër ndjej dëshirën për t’ju përkushtuar të tjerëve”,- thotë Klodiana në faqen e saj të internetit. Ndërsa viti 1998 e gjen Klodianën duke u mësuar italishten të huajve që banojnë në Salento, në vitin 2001 punësohet në qendrat e pritjes së emigrantëve. Në 2002 ajo themelon shoqatën “Integra Onlus” qëllimi kryesor i së cilës është impenjimi maksimal në çështjet e emigracionit, integrimit dhe politikave sociale. Përqendrimi kryesor i punës së kësaj shoqate është përmirësimi i jetës së emigrantëve që ndodhen në Itali e në të njëjtën kohë të bëhet realitet integrimi i tyre në shoqërinë italiane.

Puna dhe impenjimi i Klodianës në këtë fushë janë vlerësuar mjaft qoftë nga mediat vizive apo ato të shkruara të vendit fqinjë, qoftë dhe nga personalitete të politikës italiane. Kështu që, për shumëkënd që e njeh nga afër Klodianën nuk ishte aspak habi, kur vajza durrsake u zgjodh në këshillin drejtues të AICCRE (seksioni italian i CCRE, këshillit të komunave të rajoneve europiane). Për herë të parë në historinë e kësaj organizate zgjidhej në këshillin drejtues një shtetase e huaj e kjo ishte durrsakja Klodiana Çuka. E ndërsa nga shteti italian dhe figura të ndryshme të politikës dhe jetës sociale vlerësohet maksimalisht, Klodiana së bashku me shoqatën e saj impenjohet për të shpëtuar anijen “Katër i radës”, anijen që kujtdo shqiptari i sjell ndër mend tragjedinë e Otrantos ku humbën jetën 81 shqiptarë të pafajshëm. Në një kohë kur shteti shqiptar e kishte kaluar në harresë këtë çështje, Integra Onlus u angazhua për ta kthyer reliken e anijes tragjike në monument, për të mos harruar për asnjë moment atë ngjarje tragjike e njëkohësisht për të qenë një homazh për të gjithë ata emigrantë që u shuan në fund të detit jo vetëm në atë të premte të 28 marsit 1997, por dhe në shumë tentativa të panumërta për të mbërritur në brigjet italiane. Në një intervistë për “Dyrrah” Klodiana rrëfen krahas opinioneve personale për politikën shqiptare dhe projektet për të ardhmen edhe nostalgjinë që ndjen për qytetin e saj, për Durrësin e dashur, të cilin siç shprehet edhe vetë e ka shtëpinë mëmë.

Prej vitesh ju jeni angazhuar në zgjidhjen e problemeve të emigrantëve. Çfarë ju shtyu në fillim të ndërmerrnit këtë angazhim të vështirë?

Unë nuk do ta quaja një angazhim të vështirë, sepse gjithmonë kam dëshiruar të impenjohem dhe të shpenzoj energjitë e mia për të ndihmuar personat që hasin vështirësi. Në rastin më konkret, misioni im është të ndihmoj emigrantët, që ashtu si edhe unë prej vitesh luftojnë për të mposhtur ato pengesa që nuk lejojnë një integrim të plotë me territorin dhe popullin që i mikpret.

Gjatë këtyre 20 viteve që shqiptarët ndodhen në Itali kanë arritur t’i bindin italianët se nuk janë "kriminelë" ashtu si u etiketuan në fillim. Çfarë vendi zënë tashmë emigrantët shqiptarë në shoqërinë italiane?

Historia na rrëfen se etiketimet negative janë pjesë përbërëse e fenomenit të emigracionit dhe i përkasin kontekstit botëror, duke përfshirë këtu edhe atë italian. Fillimisht, të qënit “emigrant shqiptar” është identifikuar me steriotipin e kontrabanduesit, hajdutit apo të shfrytëzuesit të prostitucionit. Këto etiketime kanë përbërë një realitet dhe kanë qenë objekt i kronikave të zeza të mediave italiane për një kohë të gjatë. Paragjykime, që sot për fat të mirë duken të kapërcyera nga ne shqiptarët dhe për fat të keq shoqërojnë emigrantët rumunë.

Sot, pas 20 vitesh, falë punës, mundit dhe sakrificave të një pjese dërrmuese të emigrantëve nga njëra anë dhe “open mind-it” të shoqërisë italiane nga ana tjetër, prania e shqiptarëve në Itali nuk shihet më si një element që kërcënon integritetin e shoqërisë italiane. Mjafton të përmend brezin e emigrantëve të rinj që po formohen në kontekstin italian, që tashmë nuk shihen si “të ndryshëm”, por si një burim i çmuar për të ardhmen e shoqërisë së cilës i përkasin (Italisë) pa harruar rrënjët dhe traditat shqiptare. Koha po tregon se integrimi dhe dialogu në një shoqëri multikulturore nuk është utopi, edhe pse personalisht mendoj, se akoma duhet punuar në drejtim të afirmimit të të drejtave të popujve emigrantë. Integra Onlus, shoqata të cilën kam themeluar dhe drejtoj prej vitit 2002, lufton çdo ditë për të hequr dorë nga demagogjitë dhe nga populizmi i fushatave elektorale që pengojnë integrimin e personave në kërkim jo vetëm të një pune, por edhe të një jete dinjitoze dhe të respektueshme edhe në tokë të huaj.

Në gjithë këto vite është folur shumë për integrimin e emigrantëve, për dhënien e shtetësisë fëmijëve të tyre etj. Ju që i keni ndjekur nga afër këto problematika mund të na shpjegoni se çfarë është arritur konkretisht në aspektin ligjor?

Integrimi i plotë i emigrantëve në tokë të huaj, është një proçes i gjatë dhe i vështirë, i cili kërkon jo vetëm mbështetjen nga ana ligjore, por edhe një fushatë sensibilizimi nga palët e interesuara në këtë proçes – e kam fjalën për emigrantët dhe për shoqërinë e institucionet italiane. Personalisht mendoj se ligjet mbi temën e emigracionit duhen rishikuar për t’ju garantuar shtetasve të huaj, një pjesëmarrje aktive në zgjidhjen e problematikave politiko-ekonomike e sociale të vendit ku jetojnë. Kohët e fundit, modifikimi i ligjit mbi nënshtetësinë për fëmijët e emigrantëve që lindin në tokë italiane ka qenë në qendër të vëmendjes së politikës italiane ashtu si edhe njohja e së drejtës së votës emigrantëve. Mendoj se për të parë rezultatet përfundimtare të këtyre inisiativave duhet të presim dhe t’u adaptohemi afateve jo të shkurtra të politikës. Lidhur me aspektin delikat të shtetësisë dëshiroj edhe si nënshtetase italiane të jap një mesazh shprese dhe solidariteti për të gjithë emigrantët nëpërmjet fjalëve të Presidentit të Republikës italiane, Giorgio Napolitano: “T’u jepet një mundësi “shtetasve të rinj” që me bindje të plotë dhe krenari të bëhen italianë”.

Në Itali ekzistojnë ende zëra të veçuar që tentojnë të nxisin urrejtjen ndaj emigrantëve. Sa e pengojnë këto zëra hartimin e një kuadri të plotë ligjor për integrimin e emigrantëve?

Është e vërtetë që ekziston një pjesë e politikës italiane, e cila mban një qëndrim nacionalist dhe është në kundërshtim me politikën e hapjes dhe njohjes së figurës së emigrantit si një pjesë e pandashme dhe e rëndësishme për shoqërinë italiane. Këto zëra përgënjeshtrohen nga realiteti italian; mjafton të përmendim faktin që periodikisht në Itali aprovohet një dekret që quhet "Decreto Flussi", që mundëson hyrjen e një numri të konsiderueshëm emigrantësh, të cilët i nevojiten tregut të punës. Ky është një tregues domethënës që vë në dukje fenomenin e thjeshtë ekonomik të kërkesës dhe të ofertës për punë: Për sa i përket hartimit të një plani ligjor për integrimin mund të them se themelimi i Ministrisë së Integrimit është një hap i rëndësishëm dhe një provë e sensibilizimit të shoqërisë italiane ndaj problematikave reale të emigrantëve. Kam përshtypjen se në Itali ka nisur të ndihet dëshira për ndryshim dhe për një ndërgjegjësim ndaj problematikave të emigrantëve, të cilët kërkojnë të mos konsiderohen më si pjesë pasive, por si protagonistë dinjitoze të shoqërisë ku jetojnë.

 
A ekzistojnë më raste të diskriminimit të shqiptarëve nga italianët? (Kam parasysh këtu, burokracitë me të cilat ata mund të ndeshen në zyrat shtetërore apo vështirësitë për të gjetur një punë në përputhje me shkollimin e tyre)

Nëse flasim për raste të izoluara mund të them se ka mjaft të tilla, por nuk përbëjnë një përqindje të lartë. Shpesh aparati burokratik me ritmet e tij të ngadalta pengon ecurinë efikase të administratave shtetërore në përgjigjet dhe shërbimin ndaj qytetarëve, përfshirë edhe emigrantët. Ndërsa vështirësitë për të gjetur një vend pune dinjitoz dhe në përputhje me kërkesat e emigrantëve qëndron ende dhe është theksuar kohët e fundit edhe nga situata e vështirë ekonomike që vetë Italia po përballon. Megjithatë, dëshira për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të siguruar të ardhmen e brezave të rinj të emigrantëve nuk i ka penguar ata, që me dinjitet të kapërcejnë vështirësitë dhe të arrijnë rezultate të admirueshme.

Prej vitesh ju drejtoni shoqatën Integra Onlus si dhe jeni e para shtetase e huaj që bëni pjesë në kryesinë e AICCRE. Çfarë do të thonë për ju këto impenjime?

Integra Onlus lind nga detyrimi ndaj popullit tim për të mposhtur ato paragjykime, për të cilat folëm më lart dhe nga dëshira për të përhapur një mesazh integrimi e solidariteti midis popujve. Ashtu siç e theksuat edhe ju, tashmë prej një viti bëj pjesë në këshillin drejtues të AICCRE dhe është hera e parë që AICCRE zgjedh një anëtar me origjinë të huaj. Ky impenjim i ri më bën të jem krenare dhe njëkohësisht më nxit për të vazhduar punën time konstante dhe me bindje të plotë, që, vetëm falë bashkëpunimit të të gjitha forcave politike dhe sociale, Italia mund të ndryshojë dhe të shënojë arritje të mëdha. Prania ime, si anëtare e AICCRE jep një mesazh shumë të rëndësishëm: unë, Klodiana Çuka, njëkohësisht shqiptare dhe italiane, përfaqësoj një sfide të re dhe një shembull konkret të integrimit në një moment delikat për Italinë, e cila, sot, përballet me sfida të reja politike e sociale.

Shoqata juaj “Integra Onlus” ka dhënë një kontribut shumë të madh që anija “Katër i Radës” të mos shkatërrohej, por të kthehej në një monument kushtuar atyre që humbën jetën kur ishin nisur drejt tokës së premtuar. Përse ky impenjim, në një kohë që autoritetet shqiptare e kanë lënë tërësisht në harresë këtë çështje?

Në rrugën e gjatë drejt integrimit europian me dhimbje kam vënë re se si politika shqiptare ka përvetësuar vetëm efektet anësore, duke humbur sensin e orientimit dhe objektivat e vërtetë e duke i lënë shpesh në harresë shqiptarët dhe sigurinë e tyre. Tragjedia e Otrantos nuk mund të lihet në harresë: asnjë nuk duhet të harrojë viktimat e Otantos dhe padrejtesitë që i janë bërë e vazhdojnë t'u shkaktohen të afërmve të tyre, të cilët, akoma sot, janë në pritje të njohjes juridike nga ana e organeve përkatëse për çfarë ndodhi marsin e ’97-ës. Kujtimi i viktimave dhe ngrohja sadopak e zemrave të të afërmve dhe atyre që i mbijetuan tragjedisë ishte për mua një obligim moral dhe patriotik. Ky impenjim modest u mundësua nga risjellja në jetë e “Katër i Radës”, si një monument lundrues për të mos e harruar kurrë. Arritja dhe realizimi i këtij objektivi nuk ka qenë aspak i lehtë për Integra Onlus, por detyrimi moral dhe atdhetar ka mposhtur çdo pengesë për të arritur qëllimin tonë: të mos harrojmë ata, të cilët humbën jetën për një të ardhme më të mirë dhe të lehtësojmë sadopak dhimbjen e të afërmve të tyre.

Sa i ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri dhe ç'mendim keni përprotagonistët e politikës shqiptare?

Fakti që jetoj dhe zhvilloj aktivitetin tim në Itali më pengon të ndjek nga afër zhvillimet, ashtu si edhe protagonistët e politikës shqiptare. Megjithatë jam e mirëinformuar dhe përkrah çështjet që i përkasin kontekstit më të gjerë europian siç janë liberalizimi i vizave dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE.

Nëse do t'ju bëhej ftesë për të ardhur në Shqipëri e për t'u angazhuar në politikë do të pranonit?

Mendoj se politika reale për Shqiptarinë nuk njeh përkufizime territoriale dhe mund të kryhet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ky është misioni im në Itali dhe e kryej çdo ditë me pasion dhe me modesti, por pa harruar krenarinë e të qënit shqiptare. 

Të kthehemi pak në qytetin tuaj të lindjes. Si e gjeni Durrësin sa herë që ktheheni në Shqipëri?

Ka qenë viti ‘93 kur unë përshëndeta qytetin tim Durrësin dhe nisa një jetë të re në Itali (në qytetin e Lecce-s më saktësisht). Dëshira për t’u kthyer në Durrës nuk më ka munguar kurrë dhe në fakt, për herë të parë u ktheva në ‘98-ën. Lidhja me qytetin tim ka qenë dhe mbetet e pandashme: në 04-ën, me kursimet e para bleva një apartament afër Vilës; në 2006-ën kam marrë pjesë aktive për të realizuar “Netët e Bardha” në qytet; gjatë 2010-ës kam qenë shumë prezente dhe aktive jo vetëm në Durrës, por në mbarë Shqipërinë për realizimin e projekteve të programit “Interreg-Albania”. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Itali, për mua shtëpia mëmë është në Durrës. Emocionohem pa masë, çdo herë që shoh farin e qytetit që më rriti e më formoi nga ana humane. Nuk kanë qenë aspak të lehta vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës time; nëna më ka rritur pa babanë dhe për më tepër me etiketën e të deklasuarës, e të përndjekurës politike. Të gjithë këta komponentë, më bëjnë të kujtoj se nga vij, të mos harroj Durrësin, me te cilin kam një lidhje shpirtërore që askush dhe asgjë nuk mund ta ndajë. Jo rastësisht, kam zgjedhur të jetoj në Puglia që është e rrethuar nga deti. Shpesh impenjimet e mia më çojnë në Bari dhe sa herë shëtis pranë detit, mallëngjehem kur mendoj që shtëpia ime, Durrësi, ndodhet përballë meje, përtej brigjeve të Adriatikut.

Sa herë që kam mundësi dhe jam pak më e lirë nga impenjimet e mia, gjej rastin për t’u kthyer në Durrës. Qyteti ka ndryshuar shumë; periferia, porti, lagjia Bashkimi ku unë kam lindur, kanë ndryshuar krejt strukturën e mëparshme dhe herë-herë e kam të vështirë të gjej ish-shtëpinë dhe shkollën time, që në atë kohë quhej “7 Nëntori”. Nëna ime kthehet më shpesh në Durrës dhe nuk mungojnë rastet kur e shoqëroj; kthimi, më bën të ndihem e lumtur, por, njëkohësisht, më përshkon trishtimi kur mendoj periudhën e vështirë të cilën kemi kaluar. Megjithatë, në punën time kam mësuar të shikoj anën pozitive edhe të situatave të vështira dhe negative. E kaluara, më ndihmon të mos harroj se nga vij, por edhe të jem e ndërgjegjshme për arritjet, sukseset dhe realizimin tim si person. Mund të them me bindje të plotë se suksesi im më i madh është harmonia dhe qetësia e familjes time, të cilën e kam arritur me ndihmën e të Madhit Zot dhe mësimeve të Ungjillit, i cili më dha forcën që ta praktikoj rrugën e Zotit në ndihmë të personave në vështirësi. Shembulli im dhe personi që më frymëzon e më jep çdo ditë forcë dhe kurajo për të përmbushur misionin tim është Nënë Tereza.

Shoqata që ju drejtoni shpeshherë është angazhuar me projekte të veçanta për t’u ardhur në ndihmë familjeve që përballen me probleme të mprehta sociale. Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen në këtë drejtim?

Aktualisht jemi duke punuar në disa drejtime. Në veçanti,Integra Onlus po punon për njohjen juridike të figurës së mediatorit interkulturor, një nga figurat thelbësore që shërben si urë lidhëse midis emigrantëve dhe shoqateve, institucioneve, strukturave shëndetësore, në një shoqëri, që në mënyrë konstante ndjen ndikimin dhe efektet e multietnicitetit dhe interkulturës. Mund të them se në këtë drejtim impenjimi personal dhe i bashkëpunëtorëve të mi ka qenë i vazhdueshëm. Parlamenti italian ka aprovuar propozimin dhe po shqyrton çështjen e njohjes së figurës së mediatorit dhe jemi në pritje të risive që i përkasin njohjes juridike të kësaj kategorie që përfshin krahas emigrantëve edhe të tjerë qytetarë në ndihmë të emigrantëve.

Një tjetër projekt, për të cilin po vazhdojmë të punojmë është “Bimbi in volo per un sorriso”- objektivi i të cilit është ndihma humanitare konkrete në favor të zonave veriore të Shqipërisë dhe në veçanti të kategorive më sensibël, siç janë fëmijët dhe personat e moshuar që banojnë në zonat më të varfëra dhe periferike. Projekti në fjalë ka nisur në vitin 2006 dhe njëkohësisht pas iniciativës së ndërmarrë nga Integra Onlus është mbështetur plotësisht edhe nga Regione Puglia dhe përgjatë viteve ka arritur bashkëpunime me partnerë të rëndësishëm si: A.I.C.C.R.E. Unicef, Croce Rossa Italiana, Banca Popolare Pugliese, Ong “Alleanza per lo sviluppo”, CSV Salento etj.

Lidhur me ecurinë dhe realizimin e këtij projekti, dëshiroj të falenderoj At Angelo Massafra, Kryepeshkopin e Shkodrës, i cili ka ofruar mbështetjen dhe ndihmën e tij përsa i përket shpërndarjes së ndihmave në shtresat e popullsisë së lartpërmendura. Dëshiroj të falenderoj edhe Murgeshat Benedettine dhe mikun e Integra Onlus At Lucio Ciardo, falë të cilëve Krishtlindjen e kaluar na u mundësua të dërgonim një kamion me ushqime, veshmbathje dhe lodra për fëmijët e zonave veriore të Shqipërisë.


 


“In realtà io la politica volevo farla da sempre, perché sento nel cuore il desiderio di spendermi per gli altri”. Con queste parole Klodiana Cuka spiega il perché del suo impegno politico. La voglia di cambiamento e la convinzione che “ognuno è artefice del proprio destino” sono le molle che la spingono a candidarsi nel 2004 come consigliere aggiunto in occasione del rinnovo del Consiglio Comunale.

  • Il 2 Febbraio 2009 prende parte con un coinvolgimento diretto all’elaborazione della proposta di legge in merito al riconoscimento della figura di Mediatore interculturale.
  • Nel 2010 viene invitata a scendere in campo dal Pdl, in occasione delle Elezioni Regionali Pugliesi, e si candida nella lista “La Puglia prima di tutto” con Rocco Palese presidente.
  • Il 4 Maggio 2010 prende parte in qualità di relatrice all’incontro “I nuovi cittadini nel Centro Destra – una realtà emergente” – Riflessioni sul rapporto ISMU sulle migrazioni, svoltosi a Roma presso la Camera dei Deputati.

 

Dal 2011, Membro del Consiglio Nazionale e della Direzione Nazionale dell’AICCRE – Associazione Italiana Consiglio Comuni Regioni d’Europa.