Nedim Bajrami nuk po kalon momentin e tij më të mirë tek Sassuolo, por cilësitë e tij janë të jashtëzakonshme.

Pavarësisht se në këtë sezon nuk ka dhënë atë që pritet, klubi i Bologna ka shfaqur interes për ta afruar në ekip.

Gjatë miqësores Shqipëri-Kili zhvilluar në Parma, drejtori sportiv i Bologna, Giovanni Sartori, mbajti shënime në stadium “Ennio Tardini” për ndërkombëtarin shqiptar.

Klubi italian që ka impresionuar këtë sezon në Serie A duke luftuar për një vend në Champions League, sheh te Bajrami, cilësitë që i mungojnë në repartin e mesfushës.

“Gazzetta dello Sport”, shkruan se drejtori sportiv i Bologna, e ka ndjekur me kujdes paraqitjen e 25-vjeçarit shqiptar.

Në këtë sezon, Bajrami ka grumbulluar 26 ndeshje me Sassuolo-n, prej të cilave 3 në Kupën e Italisë, duke grumbulluar në total 1299 minuta, më pak se gjysma e minutazhit, ndërsa ka kontribuar me dy gola dhe një asist.

Shifrat nuk janë në favorin e tij, megjithatë te Bologna besojnë se ai është lojtari i duhur për të forcuar repartin e mesfushës.

Bajrami mund të luaj në disa pozicione në fushë, dhe ky fakt e ka bindur edhe më tepër stafin teknik të Bologna-s.