Mbi 25 krerë shtetesh dhe qeverish, mes tyre edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, do të marrin pjesë të hënën në Paris në samitin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, me synimin për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të shtuar presionin ndaj Rusisë.
Lajmi u bë i ditur nga Pallati Élysée, i cili njoftoi se takimi synon të intensifikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi dhe rifillimin e negociatave për paqe.
“Koalicioni i të Vullnetshmëve”, një iniciativë e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, përfshin 35 shtete, kryesisht evropiane, të angazhuara për mbështetjen ushtarake të Ukrainës dhe ofrimin e garancive të sigurisë pas përfundimit të luftës. Sipas presidencës franceze, në samitin e Parisit do t’i bashkohen koalicionit edhe Moldavia dhe Maqedonia e Veriut.
Samiti zhvillohet në prag të festimeve të 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, ku mbështetja për Ukrainën do të jetë në qendër të paradës tradicionale ushtarake në Champs-Élysées.
Sipas Pallatit Élysée, takimi vjen në një moment të rëndësishëm të unitetit transatlantik, ndërsa aleatët synojnë të koordinojnë më tej mbështetjen për Kievin.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili muajt e fundit ka sinjalizuar një ndryshim të qasjes ndaj luftës në Ukrainë, ka shprehur gatishmërinë për të rritur mbështetjen për Kievin dhe për të shtuar presionin ndaj Moskës, si gjatë samitit të G7 në qershor, ashtu edhe në takimet e fundit të NATO-s.
“Takimi do të tregojë se mbështetësit e Ukrainës mbeten të vendosur dhe se Rusia nuk mund të llogarisë në lodhjen e aleatëve”, deklaroi një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron.
Në fokus mbrojtja ajrore dhe garancitë e sigurisë
Liderët pritet të diskutojnë forcimin e mbrojtjes ajrore dhe antibalistike të Ukrainës, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit në prodhimin e armëve me licencë brenda territorit ukrainas.
Një tjetër temë kryesore do të jetë edhe forca shumëkombëshe që parashikohet të vendoset në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Sipas autoriteteve franceze, kjo forcë tashmë ka ngritur një shtab operativ pranë Parisit dhe së shpejti do të nisë stërvitjet ushtarake.
Megjithatë, Pallati Élysée sqaroi se këto stërvitje do të zhvillohen jashtë territorit të Ukrainës, derisa të krijohen kushtet për një vendosje të mundshme në terren.
Zelensky merr pjesë edhe në paradën e 14 Korrikut
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë gjithashtu i pranishëm të martën në paradën ushtarake të 14 Korrikut në Paris. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe ushtarë nga vendet që mbështesin Ukrainën, si dhe liderë të tjerë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”.
Pjesëmarrjen në samit e kanë konfirmuar kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe presidenti italian Sergio Mattarella.
Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk do të marrë pjesë në takimin e Parisit.





