KOSOVE, 21 shkurt 2013– Profesori i shquar gjerman i historisë dhe filozofisë në Universitetit të Konstancës në Gjermani Ernst Köhler, docent dhe mik i ngushtë i ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Xhinxhiç, njëherazi specialist për Ballkanin dhe autor i shumë librave, në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, thotë se Bashkimi Evropian duhet të veprojë në mënyrë të prerë ndaj Serbisë. Ai shprehet skeptik tani për tani për mundësinë e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve, pasi politikanët aktualë serbë në Beograd sipas tij, nuk ndryshojnë aspak nga mësuesi i tyre Sllobodan Millosheviçi.

Në një tekst tuajin autorial, ju kërkoni që Serbia të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë, ndërsa citoni zonjën Sonja Biserko, e cila është në këtë linjë. Pra, të themi ju kërkoni “denakifikimin” e Serbisë z. Koeler?

Po, saktësisht, ky është qëndrimi im. Zonja Biserko ka të drejtë, sepse Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Për fat të keq, qëndrime kritike si të zonjës Biserko për krimet e kryera në Kosovë, ende nuk janë të zëshme në Serbi. Ato dëgjohen vetëm në qarqe të vogla dhe të kufizuara të shoqërisë serbe sot, si ç’është rasti me ndonjë shkrimtar apo politikan progresiv, por qëndrimi i elitës serbe dhe i opinionit publik sot në Serbi, akoma nuk ka ndryshuar sa i përket periudhës së diktatorit Millosheviç, përkatësisht periudhës më të re të historisë së viteve 90-ta. Kjo ende nuk ka ndodhur.

Siç e thatë dhe vetë, në skenën politike të Serbisë sot po shohim të ushtrojnë pushtetin të njëjtit politikanë të kohës së Millosheviçit, që kanë qenë nxënës të tij, dhe sot po vazhdojnë me idetë e tij. Besoni se këta politikan siç janë Daçiç dhe Nikoliç, vërtet mund të bëjnë paqe me shqiptarët?

Unë jam skeptik! Më duhet të them se unë mbetem skeptik për këtë, ndonëse ata po tregojnë aktualisht një pragmatizëm të matur, një pragmatizëm befasues, apo ta quajë një lloj aktivizmi, duke ngritur bisedimet në nivel të lartë. Pra, tani bisedimet po zhvillohen në nivelin më të lartë, por nëse lexojmë tekstin e platformës për Kosovën, të shkruar dhe përgatitur nga Qeveria e Serbisë, nga Daçiç dhe Nikoliç dhe e miratuar edhe nga Parlamenti i Serbisë, platformë kjo ku është skicuar një republikë serbe në veri të Republikës së Kosovës, atëherë në sytë e mi, kjo platformë, e cila është përgatitur sipas modelit dhe shembullit katalonez, është kthim prapa në vitet ‘90, në terrenin e politikës së Millosheviçit. Nga platforma del se politika e kohës së Millosheviçit në Serbi nuk ka ndryshuar fare. Pra kërkesa për themelimin e një shteti serb brenda shtetit të Republikës së Kosovës, me këtë platformë është plotësisht kthim prapa dhe sipas pikëpamjes sime, është edhe një goditje pas shpine ndaj përparimeve që janë arritur me Planin e Ahtisarit, i cili komunitetit serb i jep të drejtat më të mëdha që ndonjë komunitet gëzon sot në vendet e BE-së. Kjo është një goditje edhe ndaj përparimit që është bërë në enklavat serbe në jug të Kosovës ku qytetarët serbë janë treguar pragmatik duke u integruar në institucionet e Kosovës. Tani të angazhohesh për një model tjetër që u jep pushtet të fortë tri komunave në veri në fushën e drejtësisë dhe policisë, për mendimin tim është e palejueshme dhe një kthim prapa. 

Të martën dhe të mërkurën u mbajt raundi i pestë i takimit midis kryeministrit Thaçi dhe atij Daçiç në Bruksel. Bashkimi Evropian që po moderon këtë bisedimet, është duke e parë këtë dialog me një rezonancë entuziaste. Po ju z. Koehler si e shihni?

E shoh shumë më kthjellët dhe më me rezervë sesa Brukseli. Më ka mbetur në kokë një citat i një deputeteje të gjelbër të Parlamentit Evropian, zonjës Ulrike Lunacek, e cila dialogun e cilëson si një “soft power”, që për mendimin tim është një absurd dhe teprim i llojit të vet. Bashkimi Evropian duhet të tregohet i përmbajtur, sepse ende nuk dihet çfarë do të dalë nga këto bisedime, dhe assesi të mos lejojë që në këtë republikë të re të na mbijë një republikë tjetër serbska, siç ka ndodhur në rastin e Bosnjës. Unë vërtet kam frikë për këtë, sepse duke njohur serbët nuk mund ta marrë me mend që mund të vijë deri te një pajtim qëndrimesh mes kryeministrit Daçiç dhe kryeministrit Thaçi, siç po thuhet këto ditë, ani pse Bashkimi Evropian po tregohet tej mase optimist, do të thosha edhe oportunist, duke projektuar si reale dëshirat e veta ashtu, siç ka bërë edhe vitet e kaluara duke vlerësuar gabimisht dhe nënvlerësuar rrezikun që vjen nga nacionalizmi serb. Këtë qëndrim Bashkimi Evropian e ka dëshmuar edhe në rastin e presidentit Tadiç, duke e cilësuar atë si një politikan progresist pro-evropian. Ndërsa, në esencë Tadiç është vetë një nacionalist i përbetuar ashtu si të gjithë politikanët shtetëror serbë në Beograd.

Z. Koheler, po tregoheni një pesimist i madh?

Po, jam pesimist. Do të thosha më shumë një pragmatist-pesimist. Do të isha i lumtur të ishte ndryshe vërtet dhe uroj që nga këto bisedime të ketë zhvillime pozitive, por vërtet tani për tani nuk po shoh ndonjë arsye që do të më bënte të ndryshoja mendjen.

A keni vetë një ide si do të dukej një zgjidhje për veriun e Kosovës që është shndërruar në problem?

Po, mendoj se e vetmja zgjidhje është përmes shtrirjes së Planit të Ahtisarit edhe në veri. Kjo do të duhet të ndodhë gjatë një periudhe kohore, përmes një dialogut të moderuar nga Bashkimi Evropian mes qytetarëve serbë të veriuti dhe institucioneve të Kosovës. Ata në fakt duhet të përfaqësohen vetë dhe jo që të përfaqësohen nga Beogradi ashtu siç ka ndodhur me serbët e Bosnjës në Dejton, ku nuk kanë qenë të përfshirë vetë, por janë përfaqësuar nga Millosheviqi. Duke u nisur nga kjo, unë mendoj se përfaqësuesit e serbëve të veriut duhet të përfshihen në dialog, të bëhen pjesë e dialogut. Në anën tjetër ta duhet të përballën fuqishëm me vendosmërinë e KFOR-it dhe të bashkësisë ndërkombëtare, pra me qëndrimin e prerë të Bashkimit Evropian për ndërprerjen e dhunës dhe barrikadave. Serbët në veri nga Bashkimi Evropian duhet të vihen në mënyrë të prerë para një alternative plotësisht të qartë, ku tu thuhet: nëse doni dialog, uluni të bisedojmë për realizimin e të drejtëve tuaj me planin e Ahtiasrit. Ky duhet të jetë kushti i vetëm, sepse para vendosmërisë së Bashkimit Evropian ata nuk kanë rrugë tjetër, pos të pajtohen me realitetin, sepse nuk kanë asnjë shans, as një gjasë për diçka tjetër. Në gjithë Kosovën nuk janë më shumë se njëqind mijë dhe Bashkimi Evropian nuk guxon të lejojë që e ardhmja e Kosovës të mbahet peng prej tyre.