Mandata që i erdhi Dakos nga Amerika

31/01/2019 - 16:56

Në tetor të vitit 2017 do të shfaqeshin në media, pamjet e nje videoje amatore ku shfaqej kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, duke ndenjur në rradhë si të gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë për të aplikuar pranë ambasadës për vizën amerikane. Në atë kohë, Dako se ka çuar aspak ndërmend se mandata do t’i vinte pikërisht nga SHBA.

Në fillim të nëntorit 2017, në media rrjedh lajmi se Dakos dhe familjarëve të tij nuk i ishte dhënë viza amerikane. Mos dhënia e vizës u bë në një kohë, kur ambasadori amerikan i asaj kohe, Donald Lu, bëri një deklaratë të fortë për familjet dhe klanet mafioze në Shqipëri. Vetë Dako, as e mohoi dhe as e pohoi lajmin për mos dhënien e vizës.

Po në nëntor 2017, ujërat pak të trazuara në të cilat notonte Dako do të shkundeshin fort. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp deklaroi se “Vangjush Dako, është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve tendera”.

Deklarata e bërë nga Basha do të trondiste jo pak politikën, por pozitat e Dakos mbeteshin të forta, pasi ende nuk ishte paraqitur ndonjë dokument që të faktonte akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit. Megjithëse deputetë të opozitës deklaruan se prokuroria ka një dosje për përgjimet e Dakos, me kalimin e kohës çështja kaloi në harresë.

Duhet të kalonte gati një vit, kur gjithçka të shpërthente sërish. Në 10 ditëshin e fundit të tetorit 2018 do të goditej fort nga Policia e Shtetit grupi i Avdylajve nga Shijaku. Mbi 20 anëtarë të bandës u arrestuan në atë kohë nga policia, në pranga ranë dhe dy ish-deputetë socialistë, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Por arrestimet e bëra dhe ato që nuk u realizuan i kushtuan postin ministrit të atëhershëm Fatmir Xhafaj.

Për të mos u djegur Dako, u dogj Xhafaj, sepse pikërisht në këtë kohë në media u publikuan përgjime nga dosja e prokurorisë me nr.339/1. Tashmë, ato që kishte denoncuar një vit më parë opozita, ishin të faktuara. I ndodhur përballë një trysnie të madhe mediatike dhe për të dhënë versionin e vet për lidhjen e tij me Avdylajt, Dako u shfaq në “Opinion” ku deklaroi se ishte Supermen dhe në fushatë takohej me të gjithë, pa diskriminuar askënd, i burgosur apo jo, pjesë e një bande kriminale apo jo.

Duhej pritur fundi i janarit, për të parë që Dako do të rikthehej në kryelajm në media vizive dhe të shkruara, për shkak të një investigimi të publikuar nga “Zëri i Amerikës”. Këtë herë ishte “Kazani” amerikan që denonconte rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Shqipëri. Dako tashmë shfaqej në përgjime, jo duke biseduar në telefon me anëtarë të bandës së Avdylajve, por duke drekuar me ta. Dikush mund të hidhet dhe të thotë se Dako si Supermen që është normal që do të ulej të drekonte me të, sepse Astrit Avdylaj ishte liruar nga burgu me një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Nëse ai kishte dëshirë të drekonte me kryebashkiakun, si mund t’ia refuzonte Dako kërkesën e t’i vinte në rrezik jetën?! Sepse, fundi i fundit, mund të drekosh me elementë të inkriminuar dhe sërish t’i kesh duart akullore.

“Ne nuk do të bëjmë kurrë kundravajtje ligjore, të cilat dëmtojnë sadopak rrugën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”,- do të deklaronte pak ditë më parë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i pyetur mbi rikandidimin apo jo të kryebashkiakëve Dako e Sejdini. Kjo deklaratë ishte lajmi i parë i keq për Dakon, pas një periudhe qetësie. Ndërsa investigimi i Klodiana Lalës dhe BIRN mund të quhet knock out final për kryebashkiakun që qeveris prej 3 mandatesh Durrësin.

Kur mandata të vjen nga Amerika, edhe Supermen të jesh nuk fluturon dot më dhe nuk kalon oqeanin!

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Largimi i Vangjush Dakos nga bashkia e Durrësit ka nxjerrë në pah gjatë muajve të fundit gjithë kundërshtitë e akumuluara mes socialistëv

Gazetari Klodian Tomorri ka reaguar për skandalin me pedagogun Denis Himcin, i cili i kërkonte studentes favore seksuale kundrejt marrjes

Pas Saimir Tahirit, të cilin po mundohet ta bëjë kokë turku me se s’bën, pas Ditmir Bushatit në Shkodër, Edi Rama duket se i ka vënë shke

Në dukje, pak gjëra mund ta ndajnë komedianin nga karagjozi, por në thelb botët e këtyre të dyve janë shumë larg njëra-tjetrës.

Nga Mentor Kikia

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe te qeta edhe të dhunshme;