Nga Mila Ballhysa

Në ditët e para të pandemisë Covid-19, fokusi i të gjithëve ishte përkujdesja për të mos u prekur nga koronavirusi dhe blerja e sa më shumë ushqimeve për të kaluar ditët e karantinës. Tani, dy muaj më pas, kur frika ka kaluar disi, vëmendja e të gjithëve është tek ekonomia, turizmi, tek hapja dhe mundësia për t’iu rikthyer përditshmërisë së pak muajve më parë.

Shifrat e të prekurve të ditëve të fundit nuk kanë qenë aspak të mira për Durrësin, pasi numërojmë aktualisht 17 të prekur aktivë me Covid-19. Por më shumë sesa shifrat, njerëzit po i tremb frika për të ardhmen, për vendin e punës, për të ardhurat, për shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti apo për këstin e radhës së kredisë.

Turizmi, një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë durrsake, që gjeneron miliona euro dhe mijëra vende pune është në kolaps. Hotelet kanë nxjerrë ofertat e para, por e kanë thuajse të pamundur të thithin klientelë brenda vendit, përsa kohë qyteti bregdetar klasifikohet zonë e kuqe. Ata nuk mund të akomodojnë dot as turistë vendas, se për të huaj as që bëhet fjalë tani për tani. Disa emra shumë të njohur mes operatorëve turistikë në Durrës madje u gjobitën dhe iu mor patenta sepse guxuan dhe morën pjesë në një takim me kreun e opozitës Lulzim Basha, ku parashtruan gjithë problematikat dhe rrezikun që i kanoset turizmit në Durrës, nëse vijon kjo dashakeqësi e Sovranit ndaj qytetit, prej të cilit ka një pjesë të origjinës.

Agjencitë turistike qëndrojnë hapur, por nuk kanë çfarë të shesin. Ofertat që mbushnin xhamat vitet e kaluara, tani zëvendësohen nga qepenët shpeshherë të mbyllur, pasi nuk mund të rrish kot në zyrë, kur nuk ke klientë. Qeveria i konsideron biznese të hapura dhe si për ironi të fatit ministrat e Ramës e kanë anashkaluar gjithnjë pyetjen se çfarë mund të shesin ata në një kohë kur për biletat e avionit të Air Albania-s nuk kanë të drejtë të bëjnë prenotime, bileta trageti nuk ka për pasagjerë, ndërsa për paketa turistike tani për tani është e pamundur.

Baret dhe restorantet në zonën e plazhit, pjesa dërrmuese e të cilëve merrej me qira nga shtetas nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, rrezikojnë të qëndrojnë mbyllur këtë verë. Ato që do të hapin qepenat ditën e hënë, i tremben mungesës së xhiros për disa shkaqe;

1) klientët e paktë, pasi zona ka shumë pak banorë prej dëmeve nga tërmeti, mbylljes së kufijve dhe moslejimit të qytetarëve nga rrethet e tjera për të hyrë në Durrës;

2) orarit kufizues deri në 17.30;

3) njerëzit nuk janë të predispozuar të harxhojnë shumë para këto kohë krize

4) pamundësisë për të shfrytëzuar ambientet e brendshme;

5) dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që janë shumë prezente në zonë.

Për pasojë, shumë prej tyre rrezikojnë të qëndrojnë hapur vetëm për disa tavolina me xhiro minimale. E nëse për ata nuk ka punë, nuk ka punë edhe për hallkat e tjera të zinxhirit, si industrinë e peshkimit, furnitorët, fermerët etj.

Si për ironi të fatit, atëherë kur Durrësi ka nevojë më shumë se kurrë për promovimin e turizmit, në puntatën e emisionit “Opinion” për turizmin vetëm kryebashkiakja në detyrë e Durrësit mungoi në paradën e të gjithë kryebashkiakëve bregdetarë, që folën për turizmin në qytetet respektive. Madje moderatori Fevziu deklaroi se do të bënte 4 emisione për promovimin e turizmit në disa qytete, por prapë Durrësi mungonte, megjithëse duhet mbështetur sa më shumë pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i frikshëm. Autoritetet vendore akoma nuk kanë prezantuar një spot për promovimin e bukurive të qytetit bregdetar, që mund të ndihmonte në rikthimin e vëmendjes së turistëve nga Durrësi 3.000-vjeçar.

Bareve dhe restoranteve përgjatë vijës bregdetare nuk do t’u lejohet të vendosin më çadra e shezlone. Këto të fundit do të rrinë duke u kalbur nëpër magazina, sepse kryeministri Rama bëri të ditur se këtë verë do të rikthehemi të bëjmë plazh si në kohën e “xhaxhit”. Një praktikë kjo që se ka ndërrmarrë asnjë vend evropian, por “eksperimentohet'” në Shqipëri për të fituar ca pikë duke bërë populizëm në kurriz të biznesit. Pavarësisht pakënaqësive që kam pasur personalisht për vendosjen herë-herë të shëmtuar të shezloneve gjatë viteve të kaluara, ato gjithsesi gjeneronin vende pune dhe para për biznesin. Personalisht, në këtë kohë kur trumbetohet kaq shumë për distancimin fizik do të isha për vendosjen e shezloneve duke respektuar distancat, e jo duke liruar plazhet për t’i dhënë mundësi kujtdo të ngulë çadrën ku të mundet e të shtrihet si të mundet. Për operatorët e turizmit kjo do të jetë një tjetër goditje e rëndë, që mund t’u kushtojë mbijetesën në treg në këto kohë krize. 

Njësitë akomoduese, të regjistruara a jo në tatime, janë në pikë të hallit. Vitet e kaluara ata nisnin që nga fundi i prillit pritjen e pushuesve ditorë osë të fundjavës, kryesisht nga Kosova. Këtë vit, krahas dëmeve nga tërmeti, ata i tremben një sezoni të dështuar prej mungesës së pushuesve. Në një reportazh që pata bërë në zonën e plazhit një muaj pas tërmetit, bizneset kishin frikë për të mbijetesën e tyre. Pandemia nuk ishte shfaqur ende në atë kohë, pasi tani frika është dy apo trefishuar.

Vitin e kaluar, zona e plazhit ishte plot në këtë periudhë, gjithë gjallëri. Më 16 maj 2020, përveç xhirove në bregdet brenda orarit të liridaljes dhe blerjes së ushqimeve nuk vihen re lëvizje të tjera. Bizneset që qëndrojnë hapur gjatë javës “luten” për ndonjë klient që mund t’u shkelë pragun.

Në rrjete sociale, qytetarët e Durrësit janë mjaft të indinjuar. E ndjejnë në lëkurë dashakeqësinë që buron andej lart nga pushteti i gjithëpushtetshëm për qytetin e tyre. Ndihen të revoltuar që u lirojnë dhe u shtrëngojnë madje edhe lëvizjen në fundjavë, në orarin e liridaljes. Italia dhe Greqia sot hapën plazhet, në shëtitoren e Durrësit qytetarët ndiqeshin nga policët që u kërkonin të shkonin në shtëpi… Në një kohë që mjekët dhe specialistët e shëndetit kanë nisur të shprehen qartë se hapja është e domosdoshme, Ministrja Manastirliu del dhe thotë se mund të rikthehen masat shtrënguese!!! Duket absurde në një kohë kur spitali Covid nr.2, “Shefqet Ndroqi” po mbyllet, sepse ka shumë pak të shtruar, të prekur nga koronavirusi.

Durrësi ka humbur deri tani nga kjo pandemi 5 qytetarë të tij. Fatmirësisht gjithë të tjerët ia kanë dalë të triumfojnë me sëmundjen. Tani, në këto kohë kur virusi nuk është shumë agresiv, pjesa më e madhe e njerëzve kërkojnë hapjen. Maji iku, rrezikon të kalojë edhe qershori. Kjo do të ishte e tepërt për qytetin, ku operatorët turistikë dhe shërbimet mbajnë barrën kryesore për punësimet dhe të ardhurat. Ta penalizosh qytetin në kohën, kur gjithë energjitë e biznesit fokusohen tek sezoni turistik është e tepërt. Nëse Durrësi vazhdon dhe mbahet mbyllur, shumë kujt mund t’i shkojë në mendje se dashakeqësia është e qëllimshme për të favorizuar jugun e vendit apo për të kënaqur egon e dikujt që vendos nga Facebook-u, se kur zgjohet dhe kur fle virusi.

Durrësi u godit nga tërmeti, nëse “ndëshkohet” edhe nga politika do të ishte e pafalshme.