Nga Pol Milo

Gjatë katër mbrëmjeve të nxehta të verës, në qytetin bregdetar të Durrësit u zhvilluan takime letrare artistike të festivalit Varg në Torrën Veneciane. Natën e fundit u zhvillua diskutimi Si mund të dalësh mbi valë, kur je shkrimtar ose poet? Shkrimi i plotë është si vijon:

Si mund të dalësh mbi valë kur je shkrimtar ose poet?

Çdo shkrim që vjen nga një dritë e brendshme është një ndriçim intelektual që duhet stimuluar.

Në art nuk ka rregulla. Nuk ka një metodë që të tregojë se si bëhet art. Rregulli kryesor është që nuk ka asnjë rregull. Në këtë kontekst, nuk ekziston një dallim nëse je shkrimtari i ri apo i vjetër.

Ajo që lexuesi kërkon është një çelës mistik, që krijon një lidhje të padukshme me botën e tij të brendshme. Është një korridor i errët që ndriçohet pak nga pak dhe zbulohen mister pas misteri, detaje, elementë lidhës që e mbajnë gjallë kureshtjen dhe dëshirën për të vijuar hap pas hapi leximin e radhës. Është një ndjesi lidhëse. Gjithë sekreti është se si të krijohet kjo lidhje magnetike, që sa më e gjallë të jetë aq më e arrirë është një vepër e shkruar.

Letërsia është hapësirë ku mund të lidhësh kohë të ndryshme dhe vende të ndryshme. Kjo lidhje shpesh herë krijohet përmes stilit të shkrimit. Të njëjtën ngjarje, apo të njëjtën temë, dy shkrimtarë mund ta shkruajnë dhe ta zhvillojnë në dy stile të ndryshme. Njëri mund ta shkruajë në një stil linear kohor të thjeshtë dhe tregues, ndërsa një tjetër e shkruan duke dhënë fillimisht disa copëza dhe elementë të ndryshëm, në kohë dhe në hapësira të ndryshme, e më pas jep elementë të tjerë lidhës ku lexuesi bëhet më aktiv, më pjesëmarrës, futet më në brendësi dhe ku dëshiron të japë zgjidhjen e tij, mendimin e tij, ose dhe përfundimin e tij. Ky lloj stili hap shumë dimensione në botën e fantazisë së lexuesve kureshtarë dhe inteligjentë. Lexuesi është mjaft inteligjent.

Ne që jemi rritur në det duke u larë që të vegjël, kemi krijuar që në fillim dy botë konceptuale të ndarë nga vija e hollë e sipërfaqes, atë nënujore dhe atë mbiujore. Sa herë që zhysnim kokën dhe shikonim botën e re nënujore, gjithmonë bashkë me emocionet lindnin koncepte të reja që nuk i dinim të kishin ekzistuar më parë. Aty shihet një botë e re nënujore dhe kupton se ekzistojnë gjëra që ne i zbulojmë me shumë vonesë, madje as nuk e dinim që kishin ekzistuar më parë. Ky koncept i ndarjes së këtyre dy mjediseve fizike, na forcon fantazinë dhe konceptin e ndarjes së dy botëve, të dukshme dhe të padukshme. Bota e dukshme është bota reale mbi ujë. Kurse bota e padukshme është bota nënujore që zbulohet vetëm duke u zhytur në thellësi, duke parë gjëra që nuk e dinim që ekzistonin më parë. Dikush edhe do të thotë se këto gjëra nuk ekzistojnë, por ka shumë të tjerë që duan të zbulojnë çfarë ka atje në fund. Sipas Zhyl Vernit e ardhmja e njerëzimit është nëndeti.

Çdo njeri duhet të botojë të paktën një libër. Ekziston një marrëveshje e pashkruar mes shkrimtarëve të rinj dhe shkrimtarëve të vjetër, ku shkrimtarët e vjetër nuk kanë kohë që të lexojnë të rinjtë, nuk i përfillin ose thonë: “lexoni në fillim pesëdhjetë librat e mi që kam botuar, pasi kam folur unë më parë për këtë gjë”! Pavarësisht kësaj, shkrimtarët e rinj nuk duhet të ndikohen fare nga këto mendime arkaike. Kam lexuar disa kritika mbi letërsinë shqiptare të kritikut gjerman Hans Joachim Lanksch, i cili, duke sjellë mendime plot vlera për autorë të rinj shqiptarë, thotë se hijet piramidale të autorit tradicional nuk duhet të errësojnë zërat e rinj të botës shqiptare. Ai nuk jeton më, por shkrimet e tij janë kapërcim mbi valët e propagandës së sotme për letërsinë. Kohët e fundit po rikthehen shkrime mbi futurizmin dhe transformizmin të cilat janë në rolin e periskopit pluskues, për të matur prurjet e zërave të rinj në poezi, prozë, ese, etj

Ka një target të caktuar lexuesish. Gjithsecili shkruan për diçka. Ka shumë lloje shkrimesh, ka shkrime studimore, ese shkencore, politike, filozofike, historike, por ka edhe shkrime të fantazisë së të brendshme, shkrime të mendimit, të gjenialitetit, të absurdit, të situatave paranormale, të labirinteve, të misterit, etj.

Sot në botë po jetohet në epokën e konsumizmit, konsumohet ujë në bidona plastikë, konsumohen pije energjike në kanaçe alumini që më pas riciklohen, konsumohen ushqime të shpejta, konsumohen dhe libra me shumicë. Ky është stili amerikan, ku autori promovon librin e tij, qoftë ky i ri apo i vjetër, ku më pas krijohet audienca. Të gjithë shkruajnë për një “target grup” të caktuar. Dikush shkruan për familjen, për punën etj. Dikush shkruan sepse dëshiron që të lexohet. Libri del, marketohet, shitet, propagandohet, të gjithë e blejnë librin që më pas ta hedhin në koshin e plehrave. Ndërkohë, blerësit i blejnë librat se duan të jenë pjesëmarrës nëpër evente e promovime.

Njerëzit kanë frikë nga vetmia. Ata nuk duan të ndihen të vetëm por duan të jenë mes njerëzve të tjerë. Shkojnë të blejnë libra, bëjnë foto, i postojnë, dhe ky është cikli. Por ky është vetëm cikli material. Kjo është vetëm ana e dukshme. Ndërkohë që është edhe një anë tjetër, ana e padukshme, ajo nënujore. Është ana shpirtërore, ana e ndjesive, ana morale, ana emocionale! A e morën ata vërtetë atë ngrohtësi shpirtërore? A u përcoll vërtet ai emocion apo mesazh? A u lexua libri me intensitetin që pritej? A ngeli pa frymë lexuesi? A u trondit ai? Prandaj duhet futur një dozë e pjesës së padukshme në shkrim. Pikërisht për të pickuar këtë.

Shkrimtari nuk është vetëm koleksionues idesh dhe mendimesh por është edhe koleksionues çastesh.

Bota e shkrimtarit nuk është ajo që duket por është e vetmuar, e fshehur. Shkrimtari shpesh herë është i vetëm dhe ecën duke eksploruar rrugë të errëta, ku askush nuk mund të orientojë nëse është rruga e duhur apo rruga e gabuar, ku nuk ka asnjë fener që e ndriçon këtë rrugë. I vetmi ndriçim është ai i brendshëm.

Por nga ana tjetër shkrimtari ka një armë të fortë. Shkrimtari nuk ndihet kurrë vetëm. Edhe kur është vetëm, ai është në gjendje meditimi, në gjendje ndriçimi. Dhe kjo përcillet nëpërmjet shkrimit pikërisht në atë gjendje në të cilën ai ndodhet. Nëpërmjet shkrimit përcillet gjendja. Për një shkrim të nivelit të lartë duhet njëkohësisht një përjetim dhe një gjendje e nivelit të lartë. Ky është një sekret antik, një ligj i hershëm që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë. Ky është çelësi magjik i shkrimit.