Nga Jurgis Çyrbja

Turizmi është sektori që ofron mundësi të mëdha për ekonominë. Kësisoj, fokusi maksimal që i është dhënë këtij sektori, falë investimeve të shumta e të vazhdueshme të qeverisë Rama, vendi ynë ka përjetuar një rritje të pandalshme të turistëve të huaj të cilët e zgjedhin Shqipërinë jo vetëm në periudha sezonale, por përgjatë gjithë vitit.

Kjo nuk dëshmohet vetëm nga të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Turizimit, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e tretë në botë dhe të parën në Evropë sa i përket rritjes së turizmit, krahasuar me periudhën përpara pandemisë, por nga operatorët vendas hoteleri-turizëm, si edhe nga bizneset dhe qyetarët e zakonshëm të cilët e ndiejnë nga afër e në mënyrë të përditshme gjallërimin e qyteteve apo zonave ku ata banojnë nga vizitorët e huaj.

Durrësi është një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët e huaj, sikurse Tirana, Vlora, Saranda, Gjirokastra, etj, ku projektet e qeverisë, me rilindjen dhe rijetëzimin e qendrave të qyteteve apo projekte të rëndësishme si lungo mare, shëtitore, sheshe, muze e qendra të reja mbi trashëgiminë kulturore e historike tejet tërheqëse për turistët, me ndërtimin e aeroporteve të reja, e sidomos përmes investimeve në infrastrukturën rrugore, kanë bërë që Shqipëria t’a meritojë renditjen si vendi i parë në Evropë për rritjen e turizmit, duke përjetuar nga viti në vit flukse rekord të vizitorëve të huaj.

Dhe kjo është një arritje shumë e madhe dhe indikator i qartë për zhvillimin e vendit në të gjitha aspektet qeverisëse e shoqërore, pasi rritja e turizmit tregon se është forcuar rendi e siguria, se janë përmirësuar shërbimet, cilësia e siguria ushqimore, infrastruktura dhe aksesi i nevojshëm për çdo vizitor individual apo grupe të organizuara turistike.

Pa harruar edhe sigurinë shëndetësore, për të cilën, edhe në këtë sezon, qeveria ka marrë masat, që në Durrës e përgjatë të gjithë vijës bregdetare dhe në zonat turistike malore, ka ngritur 30 qendra shëndetësore verore, në shërbim 24/7, për t’iu përgjigjur emergjencave shëndetësore, për një sezon turistik sa më të sigurt. Turizmi meriton standarde kësisoj edhe është punuar e do punohet gjithmonë me standarde.

Fokusi i qeverisë dhe puna e vazhdueshme në këtë sektor të rëndësishëm ka prekur jo vetëm qytetet e mëdha, por edhe njësi administrative në rrethinat e qendrave urbane.

Për shembull, njësia Administrative Ishëm, e qarkut Durrës, e cila ka në përbërjen e saj disa fshatra me pamje të veçantë e unike, me peizazh përrallor, me florë e faunë të pasur, ku natyra dhuron spektakël në çdo stinë, dikur e harruar, sot ofron një potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Përmes rregullimit të infrastrukturës rrugore dhe rrjetit energjitik, gjithashtu dhe furnizimit me ujë të pijshëm, këto zona po gëzojnë vëmendjen që meritojnë, ku shihet lulëzimi i bizneseve familjare dhe shtimi i turistëve të huaj por edhe vendas. Kjo ka bërë edhe krijimin e mundësive për investime të huaja, siç është rasti i fundit ku në bregdetin e Gjirit të Lalëzit, e cila i përket Njësisë Administrative Ishëm, këtë sezon hapi dyert një Resort i një brand-i ndërkombëtar spanjoll, duke ofruar shërbime turistike me pesë yje.

Zona e Ishmit, dhe fshatrat bregdetare të saj, kanë plazhe të mrekullueshme. Ekonomia e banorëve të zonës lidhet kryesisht me peshkimin, i cili ka qenë tradicionalisht një zanat i trashëguar ndër breza, ndaj dhe po punohet për ndërtimin e molit të ri të peshkimit, në mënyrë që puna e peshkatarëve të lehtësohet ndjeshëm e gjithashtu të rritet e promovohet dhe prodhimi vendas e të zhvillohet edhe më shumë ekonomia lokale.

Në Fushë-Draç u ndërtua ura e re, në Bizë janë hedhur themelet e kopshtit të ri për të vegjlit e zonës, një lagjje e re më e bukur, më e plotë, dhe më funksionale po ndërtohet në Lalëz, për familjet e prekura nga tërmeti. Ishmi është vendlindja dhe vendi i prehjes së artistit me famë ndërkombëtare Ibrahim Kodra, në emër të cilit po konceptohet një galeri arti, e po hartohen e përmbyllen shumë projekte të tjera të cilat promovojnë vlerat e çmurara që mbart Ishmi.

Tashmë turizmi në këtë zonë ka nisur një kapitull të ri. Turistët e huaj, por edhe vizitorët shqiptarë po eksplorojnë gjithnjë e më shumë thesaret e jashtëzakonshme të Ishmit. Gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj e vendas po e shijojnë përvojën në këtë zonë, ndërthurjen ideale midis kodrave dhe bregdetit, mes produkteve të freskëta nga peshkatarët e zonës dhe mikpritjes familjare, mes panoramës së gjelbërt, natyrës së virgjër dhe relievit madhështor, dhe vlerave të jashtëzakonshme historike, kombëtare e shpirtërore, si Bazilika dhe Kalaja e Gjuriçaj, Kepi i Rodonit, etj.

Zona e Ishmit është mishërim i një ndërthurje të përsosur turistike mes traditës dhe bashkëkohores, me njerëz mikpritës e komunitet të ngrohtë, me plazhe përrallore dhe një reliev natyror të pakrahasueshëm, ndaj këtë verë duhet t’i vizitoni me patjetër fshatrat e Ishmit, pasi ju siguroj që do mahniteni me bukurinë, vlerat dhe historinë e rrallë të kësaj zone, e cila do ju fitojë zemrën e do dëshironi të ktheheni për ta vizituar përsëri, e përsëri.

***Jurgis Çyrbja – Deputet i PS-së, Përfaqësues i Qarkut Durrës. Ndër të paktët deputetë që promovon vazhdimisht krahinat dhe fshatrat e Durrësit, duke na zbuluar njerëzit e mrekullueshëm që jetojnë në këto zona si edhe natyrën fantastike me vlera të jashtëzakonshme, që jo shumëkush i njeh…