Muaji mars 1997 edhe pse ishte muaji i tretë i protestës rebelues e popullore kundër regjimit despotik të Sali Berishës, mbetet dhe mbahet mend në kujtesën e shqiptarëve, si muaji kulmor i kaosit, i mbushur me ngjarje të shumta e dramatike në jug të vendit. Jeta e shqiptarëve kishte humbur kontrollin, ndërkohë që shteti nuk kishte më asnjë fuqi për të vendosur rregullin, qetësinë dhe rendin publik. Mbasi i kishin dalë nga kontrolli jo vetëm institucionet administrative, por edhe policia, ushtria, SHIK e gjithçka, shteti ishte dorëzuar dhe u kishte lënë rrugë të lirë protestuesve e bandave kriminale, të cilat po vepronin sit ë ishin “zot” të jetës së vendit, duke plaçkitur, djegur e vrarë sipas skemave të tyre.

Në mars 1997, gjithçka ishte në duart e rebeluesve e të spontanitetit, të krimit dhe të anarkisë totale. Në këtë muaj, objekt i goditjes së protestuesve ishin forcat policore të shtetit. Në këtë muaj, u regjistrua dhe ngjarja më makabre në jug të vendit, gjatë 6 muajve të rebelimit. Bëhet fjalë për kapjen, torturimin dhe djegien të gjallë në “Qafë Gjashtë” të Sarandës, të ish-oficerit të lartë të policisë së shtetit, shefit të grupeve të Sigurisë të Rendit Publik të qarkut të Vlorës, kolonel Gjergj Mehmetit. Po si ndodhi? Përse ndodhi? Kush i informoi rebelet që oficer Gjergj Mehmeti po udhëtonte në atë zonë? A po u kundërvihej protestuesve, apo shkonte drejt familjes së tij në Tepelenë, për t’u kujdesur për fëmijët dhe familjen në ato ditë të vështira? Kush ishin autorët e masakrimit dhe djegies së tij në makinë?

Dëshmon, ish-zv/ministri i policisë së shtetit, gjeneral Agim Shehu

Për ngjarjen makabre të “Qafë Gjashtës”, ku u masakra kolonel Gjergj Mehmeti, ka dëshmuar pas shumë vitesh arratie dhe ish-zv.ministri i Brendshëm dhe njëherazi drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjeneral Agim Shehu, në vitin 1997. Në një pritë të armatosur, u vra dhe u dogj polici Gjergji Mehmeti dhe u mor peng e u torturua kolegu i tij Eduart Alija. Ai ishte informuar mbi ngjarjen e rëndë të 14 marsit 1997, ditë kur komisariati i Policisë së Sarandës ishte zyrtarisht jashtë funksionit. Ishte ai që kishte lejuar Sokol Bizhgën, të shkonte në Sarandë, ndërsa i kishte kërkuar të përpiqej të riorganizonte komisariatin e policisë së këtij qyteti. Oficerët e policisë të komisariatit Vlorë dhe konkretisht shefi i policisë kriminale Sokol Bizhga dhe përgjegjësi i grupeve të sigurisë të Rendit Publik, Gjergj Mehmeti, bashkë me dy policë të tjerë, të cilëve nuk ua mbaj mend emrat, u ndodhën në Sarandë. Shefi i komisariatit të Policisë Vlorë në atë kohë mungonte.

Sokol Bizhga ishte shefi i Policisë Kriminale dhe njëkohësisht ishte komanduar për drejtimin e komisariatit. Sokol Bizhga më telefonoi nga Vlora dhe më tha që për shkak të rrezikut real që iu kanos jetës së tij, duhet të linte Vlorën dhe kërkonte të shkonte në Sarandë, ku kishte disa njerëz të tij. E lejova të largohej, në pamundësi për ta marrë në mbrojtje.  Meqë do të shkonte në Sarandë, i kërkova që të njihej me gjendjen atje dhe të punonte për të riorganizuar komisariatin e Policisë të Sarandës, i cili në momentin që bëhej fjalë nuk ishte në funksional. Sokol Bizhga dhe kolegët e tij, më telefonuan nga Saranda dhe më raportuan gjendjen në qytet, në komisariat dhe në bazën detare të Sarandës. Në përfundim ai konkludoi se ishte e pamundur të riorganizonte komisariatin, për shkak të zhvillimeve që kishin ndodhur aty.

Theksoj, se unë e lashë atë të zgjidhte, nëse do të qëndronte në Sarandë në baza të sigurta, ose të kthehej në Vlorë. Madje për Sarandën, unë i dhashë edhe rekomandime se ku mund të qëndronte. Nuk pata njoftime të tjera të mëvonshme për rrugën e tyre. Më vonë, pasdite, nga burime jashtëpolicore u njoftova se në “Qafën Gjashtë”, ishte vrarë një person. Emri i tij nuk dihej ende, por mendohej se qytetari i vrarë i përkiste institucioneve të sigurisë publike. Ndërhyrja jonë për të marrë vesh, se çfarë kishte ndodhur nuk dha rezultate, pasi në “Qafë Gjashtë” nuk futej dot njeri. Kjo për shkak të njerëzve të armatosur që kishin zënë rrugën dhe kontrollonin gjithë vendin. Më vonë, qartësisht kuptuam ç'kishte ndodhur. Kur shefi i Policisë Kriminale Sokol Bizhga, më njoftoi se kishte mbërritur në Gjirokastër, mësuam se kishin rënë në një pritë të armatosur në “Qafë Gjashtë” dhe se i vrari në makinë ishte oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Komunikova me drejtuesit e policisë së Gjirokastrës, që ta gjenin Sokol Bizhgën, ta ndihmonin të kthehej në Tiranë dhe t'i merreshin dëshmi për ngjarjen e “Qafë Gjashtës”.

Kur Sokol Bizhga u kthye në Tiranë i kërkova Drejtorisë së Policisë Kriminale të përgatiste një dosje hetimi për ngjarjen dhe kështu është bërë. Sokol Bizhga, ka treguar në një dëshmi, se "jemi goditur në “Qafë Gjashtë” për shkak të detyrës dhe se nuk kanë pasur konflikt me askënd në Sarandë". Me Bizhgën duhet të kem komunikuar paradite, ndoshta rreth orës 11:00. Më ka marrë në telefon rreth kësaj ore. Kishte gjetur një telefon me një numër grek. Informacione kam marrë të nesërmen dhe jo atë ditë. Atë ditë kam marrë informacione nga burime jashtëpolicore. Mora vesh, se në “Qafë Gjashtë” ishte vrarë një person që i përkiste organeve të sigurisë kombëtare. Bëhej fjalë për një oficer ose të policisë ose të shërbimit sekret. Nuk morëm hollësi ditën e ngjarjes nga asnjë burim, se kush ishte konkretisht, mbasi nuk kishim mundësi. Kur erdhi mundësia, Bizhga më ka treguar shkurtimisht për ngjarjen para meje. Në përmbajtje më ka thënë këto fjalë, mua dhe kolegëve që e dëgjuam: "Ne pasi nuk bëmë dot riorganizimin e Komisariatit të Sarandës, u detyruam të kthehemi në Vlorë. Pranë një centrali telefonik, ne u ndodhëm përpara një prite me njerëz të armatosur, të cilët hapën zjarr duke e ditur që ishim oficerë policie. Këtë fakt, ua ka komunikuar rebelëve vetë Sokol Bizhga, duke u thënë që "unë jam shef i Policisë Kriminale të Vlorës". Edhe pas këtij komunikimi, nuk është bërë i mundur negocimi për të liruar rrugën dhe befasisht janë gjendur në breshëri armësh automatike, ku ka mbetur i plagosur Gjergji Mehmeti, ndërsa kanë mundur të largohen oficerët e tjerë.

Dëshmon Flamur Mehmeti, vëllai i oficerit të djegur, Gjergji Mehmetit

Në vitin 1997, unë banoja në Tepelenë. Gjergji, vëllai im, ka qenë në Vlorë komandant i grupit të gatshëm. Për herë të fundit, unë e takova atë në Tepelenë. Trazirat e vitit 1997 janë ndjerë shumë në Tepelenë. Nëpërmjet televizioneve informohesha mbi ngjarjet që ndodhnin. Ditën që ndodhi masakra ndaj vëllait tim, kunata ime më tha, që vëllai im, bashkëshorti i saj, ishte nisur me tre kolegë të tjerë në drejtim të Sarandës. Ngjarjen e “Qafë Gjashtës” e kam para në një televizion grek. Pashë në televizion pamjet e tmerrshme të ngjarjes dhe policin nga Vranishti, të lidhur në një shtyllë dhe njerëz që e godisnin pa mëshirë me lloj-lloj mjetesh.

Shkova tek njerëzit e kunatës, për të marrë masat për tërheqjen e trupit të vëllait nga Saranda. U nisa me kunatin dhe disa të afërt të tjerë. Mora vesh se trupi i vëllait nuk ndodhej në Sarandë, por në qafën e Koshovicës në Fier. Këto ishin për të mbuluar gjurmët. Për shkak se isha ndihmësi i kryetarit të Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Tepelenës, kërkova një autorizim për udhëtimin në Sarandë, pasi dija që kreu i Komitetit të Shpëtimit të Sarandës, Xhevat Koçia, ishte nga Tepelena. Kishim me vete dy automjete. Në Jergucat të Gjirokastrës, ishte vështirë të kaloje. Vështirësia qëndronte në faktin, se kishte postblloqe të ngritura nga rebelë të armatosur, të cilët nuk na lejuan të vazhdonim rrugën. Qëndruan në Jergucat dhe pritëm për ndonjë makinë nga Saranda. Pas pak kohe, aty kaloi një taksi e cila po ikte në drejtim të Kakavijës. Bëmë fjalë me shoferin, që të na merrte kur të kthehej nga Kakavija dhe të na dërgonte në Sarandë. Në orën 18:00 mbërritëm në Sarandë. Takova shefin e komiteteve të Sarandës, Xhevat Koçiun. Rrugës, taksixhiu na tha se trupi i vëllait ishte djegur dhe se ishte tek “Qafa e Gjashtës”. Xhevat Koçiun e takova në qendër të Sarandës. E pyeta për vëllain. Ai më tha, që sapo e kishin nisur për në varrezat e Sarandës.

Ika të marr trupin e vëllait, se nuk doja që të varrosej në Sarandë, porn ë Tepelenë, në vendlindje, atje ku kishte dhe familjen e tij. Morëm trupin dhe e dërguam në morgun e spitalit të Sarandës, ku i bëm dhe shërbimet e nevojshme. Vëllait i ishte shqyer pjesa e poshtme e shputës së njërës këmbë, besoj nga shpërthimi i ndonjë predhe, ku i kishte mbetur vetëm kocka. Ndërsa gjithë trupi ishte djegur. Vetëm unë e kam parë trupin e masakruar të vëllait. Asnjë tjetër nga pjesëtarët e familjes nuk e ka parë. Në Sarandë, jo vetëm që e vranë dhe e dogjën, por nuk më dhanë as makinë për t’a çuar trupin në Tepelenë. Shkova në një dyqan ku shiteshin lule dhe arkivole. Pyeta shitësin për ngjarjen. Ai më tha, që kishte parë katër persona. Më tha që kishin kaluar aty, kishin ngrënë drekë në Butrint dhe më pas ishin kthyer sërish. Sipas disa thashethemeve, të pavërteta, të hapura në Sarandë, të cilat i dëgjova dhe nga taksixhiu, thuhej se atë ditë ishte vrarë një djalë në Sarandë dhe se për të, thuhej se e kishte vrarë vëllai im, Gjergji dhe të tjerët. Gjatë qëndrimit në spitalin e Sarandës, isha dhe në dhomën ku mbahej kolegu polic i vëllait tim, polici nga Vranishti, i plagosur. Nëpër spital kishte shumë njerëz të armatosur dhe as ne nuk e kishim jetën të sigurt. Në Sarandë nuk mund të mësoja detaje rreth ngjarjes. Në çdo moment, të rrinte automatiku mbi kokë… Më pas, mes peripecirash e pengesash dhe etiketimesh “si tradhëtar”, trupin e çuam në Tepelenë dhe aty u mbyll historia e jetës së vëllait tim….

Të dënuarit për vrasjen e Gjergj Mehmetit

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me 131 vite heqje lirie, bashkërisht gjithë të akuzuarit për ngjarjen e marsit 1997 në “Qafë-Gjashtë”, Sarandë, ku u vra e u dogj një polic dhe u mor peng një tjetër. Gjykata shpalli “fajtorët” mes 10 të pandehurve, të dyshuar si autorë të “vrasjes me dashje” në bashkëpunim, ndaj punonjësit të policisë Gjergj Mehmeti. Gjithashtu, ata akuzoheshin për “vrasje me dashje” në bashkëpunim, mbetur në tentative ndaj punonjësve të tjerë të policisë, Sokol Bizhga, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi. Vendimi i dha fund një shqyrtimi gjyqësor, të nisur në nëntor të vitit 2008 në Gjykatën për Krimet e Rënda. Dosja me 10 të pandehur, të akuzuar për ngjarjen e rëndë në “Qafë Gjashtë” të Sarandës, u gjykua nga 5 gjyqtarë, të kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi. Katër punonjës të policisë së Vlorës, Sokol Bizhga, Gjergj Mehmeti, Eduart Alia dhe Myzafer Blushi, udhëtuan drejt Sarandës për të rimëkëmbur komisariatin e policisë, të dalë jashtë funksionit. Gjatë kthimit, ata ranë në një pritë të armatosur. Në ngjarje u vra polici Gjergj Mehmeti, të cilit iu dogj më pas kufoma. Ndërsa u mbajt peng e u torturua polici Eduart Alija. Dy policët e tjerë mundën të largoheshin.  

Vladimir Sinani     18 vjet burg
Nestor Sinani       15 vjet burg
Eduard Çipa        15 vjet burg
Alqi Paguni          15 vjet burg
Edmond Sejko       6 vjet burg
Mikel Kendezi     15 vjet burg
Arben Kendezi     16 vjet burg
Agron Qurku         16 vjet burg
Aleksandër Bala     15 vjet burg
Ristan Lapa              pafajësi  

/Përparim Halili, SOT/