Duke nisur nga data 1 nëntor, të gjithë personat mbi 60 vjeç që kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid dhe kanë kaluar 6 muaj nga doza e dytë, mund të kryejnë të tretën.

Vendimi është marrë sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Gjithashtu është vendosur që të ftohen të gjithë fëmijët mbi 16 vjeç si dhe fëmijët 12-15 vjec që paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur sot pas shqyrtimit të vendimeve të komitetit të ekspertëve të vaksinimit që:

1. Personat që janë mbi 60 vjec të bëjnë dozën e tretë të vaksinës jo më herët se sa 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, sipas udhëzimëve që jep ISHP, duke nisur nga 1 nëntori.

2. Fëmijët që janë mbi 16 vjec do ftohen për t’u vaksinuar gjithmonë me rekomandimin e mjekut, miratimin e prindit duke nisur nga 1 nëntori.

3. Do ftojmë për vaksinim dhe fëmijët 12-15 vjec që paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit”, tha zv ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Ajo tha se në këtë situatë pandemie, prioritet do të mbetet mbulimi i popullatës me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës për ata që nuk e kanë bërë ende.

Ndërkohë Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të mos ndryshojë masat kufizuese që janë aktualisht në fuqi.

“Duke u bazuar në analizat e situatës komiteti i ekspertëve me gjithë këtë përkeqësim të lehtë të shifrave niveli i masave shtrenguese do të mbetet i njëjtë.

Ky nivel masash i përgjigjet tërësisht këtyre indikatorëve, ajo që tërheq vëmendjen është zbatimi me rigorozitet i tyre. Nëse zbatohen me rigorozitet s’ka vend për shtrëngime të mëtejshme”.