Tek ato kombe që kanë arritur një rëndësi historike më të madhe, epoka e lulëzimit të jetës së popullit të tyre përputhet me epokën e zhvillimit më të lartë të ndërgjegjes së tyre fetare, ndërsa periudha e rënies së madhështisë dhe e fuqisë, përputhet po ashtu me rënien e jetës kulturore dhe fetare njëkohësisht.

Shumë studime historike, sociale e psikologjike janë bërë mbi faktin se, ç’farë përfaqëson feja në gjithë historinë e popullit shqiptar? Apo se sa besimtarë dhe sa të lidhur me fenë jemi ne si komb? E ndërsa studion me imtësi historinë e zhvillimit kulturor të popullit shqiptar, kupton se lidhja shpirtërore e shqiptarëve me besimet fetare nuk ka qenë dhe aq sa për t’u patur zili nga ndonjë komb tjetër. Historia e zhvillimit të fesë dhe institucioneve fetare në Shqipëri është po aq mistike sa dhe vetë ajo.

Nga osmanët te Pavarësia

Rrjedha e zhvillimit historik të fesë dhe e institucioneve të saj në Shqipëri mori një kthesë të madhe pas vendosjes së pushtimit osman të vendit. Faktet dhe argumentet historike tregojnë se, për t’iu shmangur egërsisë së pushtuesit të ri si dhe sistemit të taksave të vendosura nga regjimi osman, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare u detyruan të konvertoheshin nga katolikë në myslimanë. Si rezultat, brenda një periudhe relativisht një shekullore, raporti midis popullsisë të krishterë dhe asaj myslimane ndryshoi në favor të kësaj të fundit.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe me formimin e shtetit të ri shqiptar e deri në krijimin e Mbretërisë Shqiptare, roli i fesë dhe i institucioneve fetare në Shqipëri në veprimtarinë shoqërore dhe shtetërore nuk ishte dhe aq primar. Gjatë kësaj periudhe institucionet e ndryshme fetare u morën kryesisht me përhapjen e kulturave përkatëse, edukimin e stafit fetar si dhe me çeljen e shkollave të tyre.

Pas vendosjes së regjimit të Zogut dhe lidhjeve të ngushta ekonomike e politike që Shqipëria  krijoi dhe zhvilloi me Italinë, rol parësor në diktimin e politikave fetare në Shqipëri mori përhapja e kulturës italiane dhe asaj katolike.

Beteja me komunizmin

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti klerin në Shqipëri, kryesisht atë katolik, më afër Romës dhe pushtuesit të ri italian. Pikërisht kjo përfshirje “shpirtërore” dhe “institucionale” me pushtuesin e ri, pati ndikim drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e fesë katolike me regjimin komunist të pasluftës. Si rezultat i kësaj, pasojat e luftës antifetare të regjimit komunist ishin më të rënda për klerin katolik. Prioritet i kësaj lufte ishte shkëputja e këtij besimi nga ndikimi i Papatit të Vatikanit dhe Romës katolike.

Teoria marksiste, të cilën regjimi komunist në Shqipëri e zbatoi rigorozisht në të gjitha fushat e jetës, i mësonte partisë dhe popullit se parimet sociale të krishterimit përligjnin skllavërinë antike, mburrnin bujkrobërinë mesjetare dhe gjithashtu, sa herë që është nevoja, ajo mbron shtypjen e proletariatit. Këto parime të zbrazëta dhe kuptimboshe sollën gradualisht shkatërrimin e kulturës fetare në Shqipëri.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e udhëheqësve kryesorë komunistë të pasluftës i përkisnin fesë myslimane, lufta ndaj klerit mysliman u rendit e dyta pas asaj katolike.

Ndryshe ishin marrëdhëniet e pushtetit komunist me fenë dhe udhëheqësit e sektit Bektashian. Disa prej klerikëve të njohur bektashianë shqiptarë si Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzo kishin qenë gjatë  luftës nacionalçlirimtare  përkrahës dhe mbështetës të krerëve komunistë. Këshilli i Ministrave  me në krye Enver Hoxhën në vitit 1946, pas një “analize” të gjatë që i bën qëndrimit dhe veprimtarisë së zhvilluar nga organizatat, institutet e shoqëri të ndryshme të ngritura dhe të drejtuara nga kleri katolik, arrin në përfundimin se “veprimtaria e zhvilluar nga këto organizata, institute dhe shoqëri si para çlirimit dhe pas tij, ka qenë një veprimtari antikombëtare”.

Regjimi komunist tërë veprimtarinë e tyre e cilësonte si një veprimtari antikombëtare, pasi sipas tij, kleri në përgjithësi dhe veçanërisht ai katolik kishte qenë tërësisht në shërbim të okupatorit fashist dhe gjerman.

Sipas pikëpamjes komuniste, pas çlirimit këto organizata, institute e shoqëri fetare ishin bërë mbështetëse dhe qendra të organizimit e të drejtimit të reaksionit kundër vendosjes së diktaturës së pushtetit popullor. Për regjimin në pushtet, këto organizata fetare kishin organizuar dhe financuar grupe të ndryshme terroriste, me qëllim rrëzimin e pushtetit popullor dhe të udhëheqjes së partisë.

Direktivat e dhëna nga regjimi komunist mbi drejtimin e luftës së fesë janë karakterizuar nga disa faktorë:

– Lufta duhej të zhvillohej në një front të gjerë

– Modeli i ndjekur duhej të ishte i njëjtë si në qytet dhe në fshat

– Të bëheshin aksione direkte, duke goditur jo vetëm fenë si botëkuptim reaksionar, por edhe bazat që e kanë ruajtur fenë të paprekshme.

Pra siç shihet, kjo luftë kishte në brendësinë e vet të gjitha tiparet e një lëvizje të gjerë kulturore me karakter të theksuar ideologjik.

Sigurisht që ky zhvillim i madh i luftës kundër fesë dhe dogmave të saj i kishte burimet e veta që nga mbarimi i luftës antifashiste. Sipas Kushtetutës të vitit 1928, shteti shqiptar ishte një shtet laik dhe i ndarë nga feja. Ndërsa mbas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944, institucionet partiake morën masa që këtë ndarje ta detajonin dhe ta thellonin de fakto.

Ndarja e fesë nga shteti, ndarja nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i ushtrimit të së drejtës të veprimtarisë së institucioneve fetare, ishin masat e para që u morën nga shteti shqiptar pas fitores së luftës antifashiste. Ndër hapat e tjera efikase që ndërmori regjimi komunist për të luftuar pushtetin fetar ishte eleminimi i mundësive për përgatitjen e kuadrove të rinj fetarë, të cilët dilnin nga shkollat e klerit që funksiononin deri në këtë periudhë si brenda dhe jashtë vendit. U bë ndalimi i botimit, shpërndarjes dhe leximit të literaturës fetare.

 

Në vitin 1967, gjoja me iniciativën e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri” Durrës, filloi një “epokë e re” e ndryshimeve rrënjësore dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare mori një tjetër dimension. Iniciativën kuptimboshe të organizatës së rinisë komuniste të shkollës “N.Frashëri”, e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më pas në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit.Në letrën drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe, organizata e rinisë së Shkollës së Mesme “N. Frashëri”, kërkonte që: ‘’tashmë kishte ardhur koha kur priftërinjtë dhe hoxhallarët duhet ta fitojnë vet bukën e gojës dhe jo të shfrytëzojnë djersën e fshatarësisë”

Mbi të gjitha, regjimi komunist donte të zhdukte çdo shenjë të pushtetit fetar, e të mos kishte tjetër pushtet paralel me të në rrugën e krijimit të diktaturës komuniste.

Gjyqet masive popullore që zhvilloheshin në vitet 1945-47 kundër drejtuesve të lartë të klerit në Shqipëri, ishin dëshmi e gjallë e kundërvënies së regjimit komunist kundër tyre. Organet e sigurimit të shtetit komunist, me dëshirë ose jo, merrnin dëshmi, të cilat “vërtetonin’’ veprimtarinë armiqësore të klerit fetar.

Në këtë periudhë, filloi mbyllja e gjithë shkollave dhe instituteve fetare të çdo lloj grade dhe natyre qofshin ato. Shumë klerikë të lartë u ekzekutuan, një pjesë e tyre u dënuan me burgim,të tjerë u internuan dhe u dërguan në punët më të vështira.

U mbyllën dy Seminaret, ai Françeskan dhe ai Jezuit.

U urdhërua mbyllja dhe shpërndarja e çdo organizate apo shoqërie fetare dhe ndalimi i veprimtarive të tyre. U bë rekuizimi i gjithë pasurive të shkollave fetare katolike, orendive të tyre, materialeve didaktike e mësimore. U bë konfiskimi i gjithë pronave, pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të klerit.

Edhe në rrethin e Durrësit

Veprimtaria antifetare që  ndërmori regjimi komunist nuk la pa përfshirë dhe rrethin e Durrësit.

Revolucioni kulturor kinez i nisur në mesin e viteve “60 i dha shtysë nismës për fillimin e luftës ideologjike antifetare në Shqipëri.

Në vitin 1967, gjoja me iniciativën e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri” Durrës, filloi një “epokë e re” e ndryshimeve rrënjësore dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare mori një tjetër dimension. Iniciativën kuptimboshe të organizatës së rinisë komuniste të shkollës “N.Frashëri”, e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më pas në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit.

Në letrën drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe, organizata e rinisë së Shkollës së Mesme “N. Frashëri”, kërkonte që: ‘’tashmë kishte ardhur koha kur priftërinjtë dhe hoxhallarët duhet ta fitojnë vet bukën e gojës dhe jo të shfrytëzojnë djersën e fshatarësisë”.

Me frikën se kjo luftë antifetare dhe antikulturore do të dilte nga shinat e përcaktuara nga partia, pushteti komunist “porosiste” kuadrot e zellshëm të saj se luftën kundër fesë dhe kundër shfaqjeve të huaja nuk duhet ta lëmë kurrsesi në dorë të individëve. Kjo luftë, sipas porosive të dhëna duhej të merrej në dorë nga masat dhe sidomos nga rinia komuniste. Rinia duhej të ishte pararojë e luftimeve të shfaqjeve të huaja dhe pararendëse e krijimit të shoqërisë së re socialiste. Por nuk duhej harruar që në ballë të gjithë këtyre lëvizjeve duhet të ishin organizatat e partisë. Politikisht ishin këto veglat e pushtetit, që do të drejtonin dhe të udhëhiqnin luftën kundër fesë.

Në korrespodencën zyrtare si dhe në bisedat e përditshme familjare e në rrugë, ende përdoreshin  zhargonet “zonjë” apo “zotëri”, e kjo gjuhë e përdorur binte ndesh me parimet socialiste, e po ashtu binte ndesh me frymën ideologjike të edukimit të masave me termat e rinj, si “shok” dhe “shoqe”. Për këtë, organizata e rinisë së shkollës “N.Frashëri”, kërkonte që nga ana e drejtuesve të Shtypshkronjës “10 Korriku” Durrës, të merreshin masa për ndreqjen e këtyre gabimeve. Gjithashtu ata kërkonin nga drejtuesit e kësaj shtypshkronje, heqjen e simboleve fetare si të kryqit dhe të gjysmëhënës, të cilat vendoseshin në ftesat e dasmave, të lajmërimeve në raste vdekje etj…

Nga ana e organeve të pushtetit popullor u porositën institucionet shtetërore të shërbimit si Shtypshkronja, Ndërmarrja Komunale dhe Post Telegraf Telefona të bëjnë kujdes që, gjatë prodhimit të dokumenteve prej tyre të mos përdoren më shenjat apo simbolet e ndryshme fetare si kryqi, gjysmëhëna dhe të hiqen fjalët zotni dhe zonjë, e në vend të tyre të përdoreshin fjalëtshok dhe shoqe.

Deri në vitin 1967 kundër institucioneve fetare u bë një luftë ideologjike dhe e kufizimit të burimit të të ardhurave të këtyre institucioneve.

Goditja përfundimtare pothuajse gjithë institucioneve fetare dhe godinave të tyre në rrethin e Durrësit, përfshi Kishat Katolike e ato Ortodokse, Xhamitë dhe Teqetë iu dha në vitin 1967.

Vetëm në këtë vit, në Rrethin e Durrësit në kuadër të luftës së masave dhe kundër shfaqjeve të paragjykimeve të huaja kapitaliste u mbyllën mbi 60 xhami, mbi 8 kisha dhe 5 teqe. Ky numër kaq i madh institucionesh fetare, tregon për përhapje të gjerë të të gjithë besimeve fetare në Shqipëri dhe në veçanti në rrethin e Durrësit, rreth ky që në këtë periudhë përfshinte në juridiksionin e vet, Kavajën, Shijakun, Rrogozhinën dhe shumë lokalitete e fshatra të ndryshëm.

 

Në korrespodencën zyrtare si dhe në bisedat e përditshme familjare e në rrugë, ende përdoreshin  zhargonet “zonjë” apo “zotëri”, e kjo gjuhë e përdorur binte ndesh me parimet socialiste, e po ashtu binte ndesh me frymën ideologjike të edukimit të masave me termat e rinj, si “shok” dhe “shoqe”. Për këtë, organizata e rinisë së shkollës “N.Frashëri”, kërkonte që nga ana e drejtuesve të Shtypshkronjës “10 Korriku” Durrës, të merreshin masa për ndreqjen e këtyre gabimeve. Gjithashtu ata kërkonin nga drejtuesit e kësaj shtypshkronje, heqjen e simboleve fetare si të kryqit dhe të gjysmëhënës, të cilat vendoseshin në ftesat e dasmave, të lajmërimeve në raste vdekje etj…

Pothuajse të gjitha këto institucione fetare u “rehabilituan” dhe u kthyen “në shërbim të popullit”, a thua se deri në këtë periudhë nuk kishin patur të njëjtin funksion. Shumë prej këtyre institucioneve u prishën krejt deri në gurin e fundit të themeleve. Madje një pjesë e atyre që qëndruan në këmbë, u përdhosën duke u vënë në shërbim të ish-kooperativave bujqësore apo të ndërmarrjeve shtetërore duke shërbyer më pas si depo e magazina për grumbullimin e drithërave dhe si stalla për ruajtjen e bagëtive etj.

Xhamia kryesore në qendër të Durrësit u vu në dispozicion të Pallatit të Kulturës dhe do të shërbente si qendër për argëtimin e rinisë durrsake. Në tekstin e kërkesës për marrjen në dorëzim të xhamisë qendrore të qytetit të Durrësit thuhej: “Xhamia e qendrës në qytetin e Durrësit, e ndërtuar për qëllime të caktuara politike nga fashizmi italian dhe e inauguruar nga eksponenti i tij Jakomoni, duhet të pushojë së funksionuari për qëllime fetare dhe të kalojë në pronësi të përbashkët të popullit”. Pra siç e shohim, vënia e shenjës së barazisë midis klerit vendas dhe armiqve pushtues të jashtëm, ishte tashmë diçka krejt e zakonshme. Jo pa qëllim, aktiviteti fetar në Shqipëri u lidh me luftën armiqësore, me gjoja mbështetjen që kleri i kishte dhënë pushtuesit si gjatë luftës, ashtu dhe mbështetja apo streha që ai u jepte grupeve diversante e armiqësore që ishin kundër regjimit komunist në Shqipëri.

Xhamia në qendër të qytetit të Kavajës, e cila për nga pikëpamja arkitektonike dhe kulturore përfaqësonte një pasuri kulturore u vendos të kthehej në muze.

Me shumë ndryshime arkitekturore, shkatërrimit total i shpëtoi dhe Manastiri i Shën Vlashit në fshatin Vrinë. Edhe kjo godinë ashtu si dhe të tjerat u vu “në dispozicion të popullit” për të ushtruar aty aktivitete sociale dhe kulturore. Afresket dhe pikturat murale u zhdukën nga muret e ndërtesave të kishave. Vendin e tyre tashmë e zinin fotografitë e udhëheqësve kryesorë të regjimit komunist.

Por, kjo luftë antifetare dhe ikuizicioniste nuk kaloi fare pa kundërshtime. Masat popullore, kryesisht ato besimtare, të cilat ende nuk ishin mësuar me ritmet e reja të ndryshimeve sociale, herë pas here grumbulloheshin para godinave të xhamive, kishave apo teqeve duke kundërshtuar prishjen apo plaçkitjen e tyre.

Krahas kësaj, besimtarët dhe popullsia e qytetit të Durrësit shpërndanin natën fletushka me përmbajtje kundra prishjes së fesë dhe të godinave të tyre. Edhe nëpër fletë-rrufet e ngjitura nëpër mure apo këndet e emulacionit socialist, shpesh gjendeshin mbishkrime dhe kërcënime për personat iniciatorë të veprimeve antifetare.

Më të theksuara këto veprime ishin në fshatrat e Kavajës si Gosë, e kryesisht në ato fshatra ku shumica e popullsisë së tyre ishin kosovarë. Edhe në fshatin Gjepalaj dhe Fllakë të Rrethit të Durrësit pati kundërshtime të besimtarëve kundër prishjeve të godinave fetare.

Vënia dorë në mënyrë kaq barbare mbi ndërtesat dhe kultet e shenjta fetare, rrënimi i tyre që nga themelet bëri që zyrtarisht rreth 3 milion shqiptarë të deklarohen ateistë nga ana e shtetit të tyre. Lëvizjet demokratike në vend pas rrëzimit të regjimit komunist sollën dhe ringritjen e besimit dhe kulteve fetare në Shqipëri. Tashmë pothuajse në të gjitha ato vende ku dikur ekzistonin godinat e dikurshme janë ringritur institucionet fetare dhe po ashtu ka rilindur besimi, kultura dhe kontributi i shqiptarëve dhënë sistemit fetar në mbarë botën laike.