Prokuroria e Posaçme ka sqaruar mediat për kontratën e koncesionit të sterilizimit, duke thënë se kopja origjinale është gjetur dhe është administruar nga organi i akuzës. Ky reagim sqarues vjen pas lajmeve të një dite më parë.

Dje, mediat raportuan se SPAK pavarësisht se kishte arrestuar ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi tenderin, Ilir Rrapaj nuk kishte mundur të gjente kontratën origjinale të koncesionit.

Madje, këtë të hënë ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme për shkelje të rënda gjatë hetimeve, duke pretenduar se mos-gjetja e kontratës origjinale është bërë qëllimisht me regji të Edi Ramës për të shpëtuar nga prangat Ilir Beqajn.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse.

Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020”, thuhet në dosjen e dorëzuar në gjykatë nga SPAK.