Nga Myzejen Konduri

Solidariteti, keqardhja, lotët, për 11-vjeçaren që ra në kurthin e përbindëshave, ishte masive.
Ka ardhur koha që të mos ecim symbyllur përballë egoizmit vetjak, duke harruar familjen, të afërmit e veçanërisht fëmijët që janë si brumi që gatuhet nga duart tona.

Edhe shkolla, me këtë zhvillim marramendës të normave e moralit modern të luftohet për të mbrojtur jo vetëm cilësinë e mësimdhënies & mësimnxënies, edukimit me të gjithë cilësitë humane, pra t’i mbrojë e ta orientojë këtë gjeneratë, që është e ardhmja. Liria, pa parime të çon përtej botës kafshërore!

Revoltën time e kam hedhur në këtë poezi:

BRITMA JOTE
Dëshpërimi, tingujt e shpirtit
I nxjerr vajtueshëm
Dua ta zhvesh dhimbjen
Por s’mund…

Marrëzi e djajve me të ndyrat prekje
Të njomëzin trup, e veshën me torturë.

O përbindësha të neveritshëm!
Ju mbyttë pafajësia e saj!

Ju i nxini ditët
E largoni gjumin nga sytë
Verbuar nga lotët e dhimbjes.

U shoftë emri e soji juaj
Me misteret e së keqes
E peshën e vdekjes

…Se as vdekja, s’e kapërcen pikëllimin….