Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel bashkë me një ekip negociator, pasi do të marrë pjesë në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për procesin e negociatave të anëtarësimit.

Në një deklaratë për mediat pak para nisjes së konferencës, Rama u shpreh se ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Është një moment shumë shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit dhe është një moment për të cilin kemi punuar shumë fort qysh prej një kohe të gjatë. Dhe është një moment ku gjysma e punës nëse duhet ta them kështu e kapitujve të hapur do të mbyllet dhe gjysma tjetër e mbylljes do të hapet”, tha Rama.

Rama theksoi se Shqipëria si një nga vendet më proevropiane, është e gatshme për të vijuar më tej.

“Dëgjoni, Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100% në përputhje me politikën e jashtme të BE-së, kështu që nuk kemi ndjerë ndonjë kënaqësi të përfytyrojmë të kemi veto, duke qenë vendi më pro Bashkimit Evropian e më pro atlantik në Evropë dhe kur them vendi më pro BE-së flas për barometrin e BE-së, nuk flas për atë që mendojmë ne.  Ne jemi fanatikë të BE-së, kështu që fanatikët e BE-së nuk mund të vënë veto për vendimet e BE-së”, u shpreh ai.