TIRANË- E thirrur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, Konferenca Gjyqësore Kombëtare nisi dje punimet e saj dy ditore në Tiranë. Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK) do të zgjedhë dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD). 

Siç është bërë e ditur zyrtarisht, mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare (KGJK), ka në rendin e ditës, ndër të tjera, zgjedhjen e 2 anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të zëvendësuar dy anëtarë të cilëvë u mbaron mandati, gjyqtarët Dhurata Haveri dhe Shkëlqim Miri. 

Për këto vende vakante, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kanë shpallur kandidaturat e tyre 7 (shtatë) gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, nga gjykatat e apeleve, të cilët do të zgjidhen nga kolegët e tyre për një mandat 5 vjeçar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 

Kandidaturat, të cilat janë shqyrtuar dhe kanë marrë miratimin nga Komisioni i Përkohshëm i Etikës dhe Verifikimit të Mandateve të KGJK-së, janë: Agron Papajani – Gjykata e Apelit Tiranë, Artan Broci – Gjykata e Apelit Tiranë, Astrit Haxhialushi – Gjykata e Apelit Tiranë, Dhimitër Lara – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Lefter Jahaj – Gjykata e Apelit Tiranë, Sokol Binaj – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dhe Zegjine Sollaku – Gjykata e Apelit Tiranë. 

Konferenca Gjyqësore Kombëtare është mbledhur dje në Tiranë, ndërkohë që punimet e saj do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme. Në Konference marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e vendit. 

KANDIDATURAT PËR VENDET VAKANTE NË KLD 

1. Dhimitër Lara – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda 
2. Lefter Jahaj – Gjykata e Apelit Tiranë 
3. Astrit Haxhialushi – Gjykata e Apelit Tiranë 
4. Agron Papajani – Gjykata e Apelit Tiranë 
5. Sokol Binaj – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda 
6. Zegjine Sollaku – Gjykata e Apelit Tiranë 
7. Artan Broci – Gjykata e Apelit Tiranë