FIER – Dy kushërinj janë konfliktuar me njëri tjetrin për një sipërfaqe toke, por grindja ka degjeneruar deri në përdorimin e sëpatave. Konflikti është regjistruar në fshatin Vreshtas, të komunës Cakran në Fier dhe i plagosur ka mbetur 67 vjeçari Rauf Haxhiaj.
Burime policore bëjnë të ditur se kushërinjtë janë grindur për një sipërfaqe toke, pronësinë e së cilës e pretendonte secila nga palët. Pas grindjes verbale sherri ka degjeneruar më tej deri në përdorimin e mjeteve prerëse. 67 vjeçari Rauf Haxhiaj është goditur me sëpatë nga kushëriri i tij Arben Haxhiaj.
Pas plagosjes, i moshuari është dërguar menjëherë në spital dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet dhe ka lëshuar urdhër-arrestin për autorin e plagosjes, Arben Haxhiaj.
Sipërfaqja e tokës, për të cilën Raufi pretendonte se i takonte me ligj ishte bërë prej kohësh burim konflikti mes kushërinjve.