14 mars 2016. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda liroi nga burgu Domart Konjarin. 43 –vjeçari, një anëtar i bandës së “Rrugës Bardhyl”, është i dënuar me 10 vjet burg në Francë, si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të kokainës. 

Ai u kap në nëntor të vitit 2015 në Kapshticë, duke u larguar për në Greqi, me një pasaportë që rezultonte e lëshuar në mënyrë të rregullt nga autoritetet, por që kishte të dhëna të një personi tjetër. Të dhënat për pasaportën ishin lëshuar nga Policia e Tiranës. 

Me arsyetimin e kalimit të afateve proceduriale, gjykata ia ndryshoi masën nga burg në detyrim paraqitje edhe pse prokuroria kërkoi t’i caktohej një tjetër masë nën akuzën e korrupsionit, nën dyshimin se Konjari ka tentuar të korruptojë prokurorë dhe gjyqtarë të Korçës gjatë qëndrimit në burgun e Drenovës. 

Ambasadori francez në Tiranë reagoi ashpër. Ai u dërgoi një letër autoriteteve duke u kujtuar dosjen voluminoze të sjellë në kohë rekord në Shqipëri për grupin prej 20 personash që drejtonte Konjari.  

Në dosje, thuhej se Konjari dyshohet edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale, të ndodhura në Francë, Spanjë, Itali dhe Holandë, që kanë të bëjnë me trafikun në sasi të mëdha të kokainës.

Ndryshe nga sa kishte bërë për lirime nga burgu të kriminelëve ordinerë, duke përmendur me emra gjyqtarët, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri heshti. Ai nuk pati asnjë reagim për Konjarin. 

Më 23 mars 2016, një javë pas lirimit nga burgu, inspektorët e ministrisë së Drejtësisë nisën një verifikim për procedurat që ndoqi Apeli i Krimeve të Rënda. Deri më sot nuk ka asnjë rezultat. 

Ai ka qenë i dyshuar edhe për disa vrasje në Shqipëri e Francë. 

Sot Domart Konjari lëviz i lirë. 

5 dhjetor 2016. Gjykata e Apelit në Durrës liroi nga burgu Lulzim Berishën, kreun e një prej bandave më të rrezikshme në vend, i cili u kap në prill të vitit 2006 në Tetovë. Vetë Berisha ishte akuzuar për të paktën 5 vrasje. 

Ishte dënuar me burg përjetë, por ky vendim i Krimeve të Rënda u prish nga Gjykata e Lartë. Pëfundimisht u dënua me 15 vjet burg, por u lirua vetëm pas 10 vjetësh. Kishte përfituar ulje dënimi disa herë dhe duhet të kryente edhe 5 vjet burg. 

Në lirimin e tij dyshohet të jetë implikuar dhe Bashkia e Durrësit, e drejtuar nga socialisti Vangjush Dako. Bashkia kishte garantuar se do ta punësonte si pastrues plazhi kreun e një prej bandave më të fuqishme në vend, që mendohet se ka xhiruar dhjetëra miliona euro nga trafiku i drogave të forta. 

Për lirimin e Lulzim Berishës ka nisur një hetim, ecuria e të cilit s’dihet. Lulzim Berisha po i gëzohet lirisë, por nuk është paraqitur në Bashkinë e Durrësit për të punuar, siç thuhet në kushtin e tij për t’u liruar nga burgu. 

13 shkurt 2017. Sot Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e përbërë nga disa gjyqtarë të Apelit të rrethit të Tiranës dhe të Korçës i dhanë pafajësinë “Hakmarrjes për Drejtësi”, një prej bandave të akuzuara për dhjetëra krime, si vrasje, rrëmbime, pengmarrje, grabitje etj. 

Leart dhe Orik Shyti, Altin Arapi, Dritan Hate, Gent Caka, Nikolin dhe Pasho Novruzaj tani mund të kthehen në Shqipëri të lirë. Ata jetojnë në Belgjikë e Zvicër, ku kanë statusin e azilantit politik. 

Arsyetimi i Gjykatës nuk është zbardhur.

25 janar 2017. Kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës, Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare troket në Gjykatën Kushtetuese. Ai kërkon prishjen e dënimit me burg përjetë dhe shpalljen e tij si antikushtetues të 4 vendimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare kundër tij. 

Ai u arrestua në mars të vitit 2006 në Ankara të Turqisë dhe u ekstradua më 25 nëntor të vitit 2009 në Shqipëri pas shumë peripecish. 

Aldo Bare është dënuar me burg përjetë në vitin 2011 për 4 vrasje. Ky dënim iu rikonfirmua pasi ai e ankimoi. Në Gjykatën Kushtetuese ai ka dërguar këtë procedurë. 

Nëse Kushtetuesja do të vendosë në favor të tij, rruga që ai të fitojë edhe njëherë lirinë nuk do të jetë më e pamundur. Ish kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot lirimin e tij. “Pritet qe kryebanditi Edvin Kristaq Rama të lirojë, në përputhje me detyrimin e tij, Aldo Baren dhe bandën e tij, për të plotësuar kështu radhët e banditëve që i mungojnë atij”, shkruajti ai pas pafajësisë së dhënë për “Hakmarrjen për Drejtësi”. 

2 shkurt 2017. Gjykatën Kushtetuese e sheh si mundësi për të fituar lirinë edhe Endrit Dokle, ish anëtari i bandës së Durrësit, i dënuar me burgim të përjetshëm nga të tre shkallët e gjyqësorit. Ashtu si Aldo Bare edhe ai kërkon shpalljen e vendimeve si antikushtetuese. 

Nga bashkëpunëtor i Lulzim Berishës, Endrit Dokle u bë armik i tij. 

Banda e Durrësit akuzohet për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës, Ervin Lames, ish kreut të saj Klodian Saliu e Avni Gashit.
 
Endrit Dokle akuzohet edhe për vrasjen e Ilir Koldashit. 

Në vetëm 1 vit, vendimet e gjykatave kanë hapur shumë dyer burgjesh, por ndryshe nga një dekadë më parë, jo për t’i vënë pas hekurave kriminelët më të rrezikshëm në vend, por për t’u dhënë atyre përfundimisht lirinë.