Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundmi ka komentuar bojkotimin e votimit nga deputetët që marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit. Kurti e ka quajtur sjellje politike të papërgjegjshme dhe njëkohësisht shkelje të Kushtetutës bojkotimin e votimit.

Ai theksoi se sipas pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014 çdo deputet është i detyruar të votojë, pro, kundër ose të abstenojë procesin e konstituimit të Kuvendit. Kurti tha se konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, por e të gjithë deputetëve.

Ai shtoi se pasi të formohet Kuvendi, përgjegjësia e tij do të jetë formimi i qeverisë së re. Deri atëherë, vendi do të qeveriset nga qeveria në detyrë. Kurti u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë si një obligim kushtetues dhe rrugëdalje nga ngërçi politik.

“Ju bëj thirrje edhe një herë deputetëve që, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtën e obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim. Meqë e provuam votimin e hapur, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë, sepse kështu e parasheh edhe aktgjykimi i datës 26 gusht 2014”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se rruga për të dalë nga kriza politike është e qartë, por se kërkon vullnet për të ecur përpara.