Shoferë të dehur apo pa patentë. Janë këto konstatimet e Policisë Rrugore, e cila njofton se në 24 orët e fundit për këto arsye janë vënë në pranga 10 shtetas.

“Kontrollet intensive nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara, gjatë 24 orëve të fundit, kanë çuar në pranga 10 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi”, njofton policia.

Ndërkohë bëhet e  ditur se një 38-vjeçar nga Shkodra i cili ka qarkulluar me një makinë me xhama të veshur, i ka ofruar 1500 lekë policit për t’i shpëtuar penalizimit.

Përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, nga efektivët e Policisë Rrugore Shkodër është goditur një tjetër rast i mitëdhënies. Shtetasi A. A., 38 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar mjetin “Audi”, me xhama të riveshur, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, shumën 1500 lekë, për të shmangur masën administrative”, njofton policia, ndërsa informon se gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 38 leje drejtimi, nga të cilat 25 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.