TIRANE, 07 mars 2013– Arti i të kopjuarit përmirësohet me avancimin e teknologjisë. Metodave të vjetra me fleta të vogla të shkruara me dorë jo vetëm që u ka ikur koha, por ka nga ata studentë që i kur dëgjojnë histori të tilla qeshin, pasi i duken ‘pre hisitorike’. Sipas të rinjve, marrja e një provimi është vetëm një telefonatë larg. Metodat e kopjimit nëpërmjet telefonit janë nga më të larmishmet, por me e parapëlqyera është kopjimi nëpërmjet kufjeve me magnet, të cilat nuk kanë fije dhe futen në vesh pasi diametri i tyre është vetëm 3mm. Çdokush mund të kopjojë pa problem dhe askush nuk arrin ta shohë. Këto kufje duke qenë se kanë një çmim më të lartë se kufjet e zakonshme, bëjnë që studentët t’i blejnë si grup dhe i përdorin me radhë, në varësi të provimeve. Duke qenë se studentët kanë pasur sukses me këto lloj kufjesh, ka bërë që edhe tregtarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi, duke hapur edhe faqe interneti, e cila promovon këto lloj kopjimi si dhe shet të tilla kufje. Në faqen www.minikufje.com mund të gjeni çdo detaj në lidhje me këto lloj kufjesh, por edhe histori suksesi të kopjimit të studentëve. Çmimi i tyre varion nga 39 euro deri në 149 euro.
 

Shitja ne internet

Të marrësh një provim sot është shumë e kushtueshme, pasi metoda më e re e kopjimit, e cila ka korrur më shumë sukses është ajo e kufjeve me magnet. Por këto kanë një kosto më të lartë. Duke qenë se janë shumë të kërkuara nga studentët, sidomos në periudhë studimesh, ka nga ata persona që e shfrytëzojnë për biznes, duke hapur një faqe interneti që shesin këto lloj kufjesh. Dhe jo vetëm që te faqja www. minikufje. com mund të gjesh çmimin dhe mënyrën e përdorimit të këtyre kufjeve me magnet, por ka edhe histori studentësh që tregojnë eksperiencën e tyre në provime. Veç këtyre, personi që e ka krijuar këtë faqe dhe bën tregtimin e këtyre kufjeve, u përgjigjet edhe çdo lloj pyetjeje që kanë studentët. Po në këtë faqe ka një ‘ikonë pyetjesh të zakonshme’, ku të interesuarit mund të gjejnë informacionin bazë, por nëse ata kanë më shumë pyetje, atëherë duhet të plotësojnë një lloj pyetësori për siguri. Por ajo që bëhet shumë e qartë është se këto lloj kufjesh që futën në aparatin e dëgjimit nuk janë të dëmshme.
 

METODAT E TË KOPJUARIT

Nëse je para hyrjes në provim, pyetja që bëjnë studentët nuk është ‘A ke mësuar?’ por ‘A je armatosur për të kopjuar?’.
Ndaj edhe batuta e preferuar e studentëve për kopjimin është “Tani që në treg kanë dalë Smartphone, kopjet janë bërë 3G! Teknologjia tashmë dihet që evoluon dita- ditës, nuk mund të mburresh me diçka të fundit të blerë dje, sepse sot ka dalë jashtë mode. Dhe me të njëjtin hap ecën dhe arti i kopjimit. Futja e fletores nga jashtë, vjedhja e tezës nga zyra e pedagogut, futja e personave të tjerë apo kopjimi me fletushka të shkruara me gërma mikroskopike janë metoda që i përkasin Mesjetës, nëse i krahason me metodat e sotme. Jo se nuk janë eficiente, sepse përdoren me sukses edhe tani nga nostalgjikët, por kërkojnë më shumë mund dhe sakrifica, gjë që të rinjtë e sotëm mundohen sa më shumë t’i evitojnë. Kishte emocionet e veta dhe fakti të kaloje natën para provimit duke shkruajtur formula në copa letre të madhësisë së një bilete autobusi, apo të mbushje fundin e fletores së provimit me teori të shkruara aq lehtë me lapës, saqë të kalojë pa u parë gjatë kontrollit të pedagogut, të mbushje parakrahët (femrat edhe kofshët) me shkrime të padeshifrueshme dhe me e rëndësishmja ishte që të nesërmen të të nxirrnin nga situata. Rinia e sotme i shikon si demode këto metoda dhe kanë të drejtë, sepse aksesi që jua jep teknologjia nuk ka të blerë, një ndihmesë jo të vogël e japin dhe kompanitë celulare, me ofertat që kanë bërë mund ta shfrytëzosh tek-nologjinë për të kopjuar me kosto zero. Dikur për një provim duhej ta kishe mbushur telefonin me 3-4 karta rimbushëse dhe përsëri ishe në dilemë nëse arrije deri në fund, ndërsa tani me ofertat që qar-kullojnë mund të rrish pambarim duke biseduar. Por nuk është e vetmja zgjidhje telefoni me biseda, sms, foto apo videot e veta, por në qarkullim ka një pafundësi mjetesh të tjera si mikrokamera, mikrokufje e shumë mjete të tjera që bëjnë pjesë në ‘ekuipazhin e 007′ në bankat e shkollave.
 

Historite e studenteve

Sipas studentëve të pyetur, metodat e sms vazhdojnë të jenë funksionale për disa. Kjo përdoret më shumë për teoritë, ofertat e kompanive të telefonisë celulare e kanë lehtësuar këtë lloj kopjimi, duke e bërë më të lirë për studentët. Kufjet normale janë përdorur prej shumë kohesh, vetëm duhet pasur kujdes me flokët që mos të duket kufja. Por tashmë për studentët revolucionin, por edhe ‘kërdinë’ në marrjen e provimeve e notave të mira po e bënë kufja me magnet. “Kufjet me magnet janë nga më të mirat sepse askush përreth nuk mund ta shikojë dhe kopjon për qejf. Edhe nëse dikush dyshon, të afrohet, të shikon mund të të largojë edhe flokët nga veshi, por nuk arrin ta shikojë dot, sepse kufja është brenda në vesh. Kjo lloj kufje është një magnet i vogël 3mm diametër që futet lehtësisht në vesh”, – tregon një studente e Ekonomikut. “Sapo dola nga provimi dhe çdo gjë shkoi më së miri, falë kufjeve – thotë studentja e Inxhinierisë së Ndërtimit, duke vijuar. – Ky ishte një provim i vështirë, kisha hyrë dhe një herë tjetër, por nuk arrita ta merrja. Vendosa të hyja me kufje, pasi ishte e pamundur ta merrja ndryshe. Fijet e kufjeve i kam ngjitur me ngjitës që mos të lëvizin, kam veshur dhe një bluzë të trashë, bën ftohtë sot! Pedagogia kontrolloi bankat, fletoret me radhë dhe të gjithë telefonat i donte të fikur. Mua nuk më kapi, pasi kufja që kam është shumë e vogël dhe nuk dallohet fare”.

/gsh/kombetare.al/