Korça, qyteti i qeshur dhe plot jetë në juglindje të Shqipërisë, me një sens të pakufishëm mikpritjeje të fton në çdo stinë te vizitosh rrugët e saj karakteristike, të mësosh më shumë për kulturën dhe historinë e saj, si për të kuptuar më mirë se përse shumë njerëz te shquar që sot mbushin faqet e historisë së kombit, ishin pikërisht nga Korça. I quajtur ndryshe si qyteti i serenatave, i dashurisë, i artit, i birrës dhe i kërnackave- në morinë e epiteteve gjen shumë të tillë, që cilësojnë vlerat e saj por edhe te nxisin ta vizitosh. Në çdo cep që të shkel këmba, ndjen një lloj kënaqësie, sepse kudo shkon nëpër qytet, gjëja e parë me të cilën takohesh, është pikërisht mikpritja e korçarëve dashamirës dhe bujarë. Një udhëtim në Korçë për një fundjavë apo për disa ditë më shumë do ishte zgjedhja e duhur në të katër stinët e vitit, por duhet të pranojmë që stina më e bukur është dimri, ku Korça të ofron një panoramë të mrekullueshme të qytetit nën petkun e bardhë të dëborës. Megjithatë temperaturat nën zero gjatë stinës së dimrit nuk ndihen në qytetin e dashurisë, pasi këtu gjen plot strehëza të ngrohta ku mund të prehesh paqtë mbrëmjeve duke shijuar një darkë nën melodinë plot jetë të serenatave korçare.
Përpos çdo lloj kënaqësie që të ofron Korça si qytet I dashurisë, serenatave dhe birrës, ajo çfarë e bën këtë qytet unik dhe të veçantë është rrugëtimi që ka bërë përmes historisë, traditës dhe lidhjeve të hershme me Perëndimin. Një nga zonat me vlerë të hershme historike kulturore dhe artistike në këtë qytet është pazari I saj. Një atraksion më vete brenda qytetit të Korçës, pazari I restauruar së fundmi, karakterizohet nga ndërtesa në përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Megjithatë përgjatë kohës nëpër të cilën ka rrugëtuar pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera historike dhe monumentale. Megjithatë më shumë rreth historisë së tij ndër shekuj dhe restaurimit të pazarit të Korçës do të na tregojë arkitekti Artan Shkreli, një prej iniciatorëve të restaurimit të kësaj pjese me rëndësi historike dhe identitare jo vetëm për Korçën por për gjithë Shqipërinë.
Pazari I Korçës ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit. Një karakteristikë themelore e të gjitha haneve ishte se në qendër të oborrit secili prej tyre kishte nga një pus uji.
Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari I Korçës me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera historike dhe monumentale.
Karakteristikë e ndërtesave përgjatë pazarit janë edhe qepenat në ndërtesat e tyre, vërehen dy lloje qepenash me kapakë ose me rullon që është një fazë e mëvonshme se sa qepeni klasik me kapak. Megjithatë pazari ka dhe disa ndërtesa emblemë, siç është Dyqani i Rakos, godina simbol e pazarit apo xhamia e Iliaz Bej Milahorit e cila është monumenti më i vjetër i qytetit i vitit 1484, ka vlera historike, kulturore e fetare, por edhe arkitektonike.
Life Gallery
Qyteti I Korçës nuk është përpos vlerave historike, kulturore dhe natyrës së saj joshëse të fton ta vizitosh edhe për vendet ekskluzive që rezervon për të pushuar. “Life Gallery” është hoteli në të cilin mund të akomodoheni teksa zgjidhni të kaloni disa ditë në Korçë. Brenda hapësirave të këtij hoteli gjenden të gërshetuar luksi dhe rehatia, në mënyrë që qëndrimi I çdo vizitori të jetë sa më i paharrueshëm. Një akomodim elegant plot stil dhe shije. Life Gallery’s "Avenue 55" sjell në Korçë një ambient intim dhe komod , me një stil të sofistikuar dhe mbresëlënës i cili të jep mundësinë që të përjetosh kënaqësinë e shijimit të një shumëllojshmërie të verërave dhe birrave të ndryshme. Hoteli ofron 19 dhoma të vendosura në dy godina me stile arkitekturore të ndryshme. Godina me suitat, 3 ekskluzive dhe 1 Presidenciale, është e ndërtuar në vitin 1924 me stil arkitekturor neoklasik. Ndërkohë që suitat janë të arreduara sipas stilit minimalist. Thjeshtësia dhe bardhësia e tyre të japin një efekt relaksi.
Korça, përpos serenatave dhe këngëve të dashurisë që janë shpirti I qytetit, të ofron edhe një sërë alternativash të tjera për të vizituar rreth e përqark saj. Atraksionet turistike me vlera të paçmuara që e pasurojnë edhe më shumë Korçën janë edhe fshatrat turistike si Boboshtica, Dardha apo Voskopoja, ku turizmi familjar dhe temperaturat e freskëta i bëjnë këto fshatra të preferuara. Ndërkohë që eventet e ndryshme apo vizitat në pesë muzetë e qytetit janë një alternativë për ata që preferojnë turizmin kulturor. Katedralja Ringjallja e Krishtit në Korçë është një tjetër atraksion turistik brenda qytetit. Një katedrale që për nga përmasat cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri. Ndërsa në qytetin e serenatave përveçse traditë dhe histori, për vizitorët ka dhe një risi që I është shtuar vitet e fundit, e ashtuquajtura “Red Tower” apo kulla panoramike që ndodhet në qendër të sheshit “Andon Zako Çajupi”.
Sigurisht që nëse vjen në Korçë nuk mund të largohesh nga ky qytet pa dëgjuar muzikë, e mbi te gjitha serenata, ashtu siç ndodh në këtë folezë të ngrohtë këtu. Është pikërisht Vila Cofiel ku tingujt e kitarës dhe shpirti i korçarëve që këndojnë pareshtur shkrihet në një amforë që çliron kënaqësi dhe mikpritje për secilin prej vizitorëve.
Kjo është Korça e bukur e serenatave, ku çdo rrugicë e saj duket sikur këndon dhe vallëzon në të njëjtën kohë. Ky është qyteti që të buzëqesh pareshtur, të fton dhe të josh të hidhesh në krahët e historisë, kulturës, traditës dhe argëtimit që ta jep pa u kursyer nëpërmjet tingujve muzikorë të kitarave dhe zërat që i këndojnë dashurisë.
Emisioni "Jo vetëm modë" nga Floriana Garo





