14 maj 2015 – Korveta famëkeqe Sibilla u kthye në kryelajm të mediave botërore më 28 mars 1997. Kapiteni i luftanijes italiane duke zbatuar urdhërat e qeverisë Prodi, mbyti një anije ndihmëse shqiptare të quajtur Kateri i Radës. Nga mbytja e anijes humbën jetën 81 shqiptarë, përfshirë edhe të porsalindur (kaq trupa u nxorrën nga deti dhe shpëtuan të gjallë 34 shqiptarë të tjerë).
Anija ishte ngarkuar me klandestinë nga banditët e Vlorës në bashkëpunim me një ministër të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (kabineti Fino). Më vonë gjyqi italian, pas një sërë zhdukje provash vdekje në aksident të dyshimtë të avokatit të viktimave dhe peripecive të tjera, shpalli fajtor për vrasje të shumëfishtë duke dënuar me burg si kapitenin e Sibilës edhe kapitenin e Katerit të Radës.
Korveta Sibilla këtë të enjte më 14 maj 2015, uli flamurin italian për herë të fundit. Ministria e Mbrojtjes e Italisë e nxorri jashtë përdorimit si anije luftarake Sibilën, pas 25 vjetësh në përbërje të Flotës Luftarake Italiane. Anija pas disa riparimeve dhe modernizimeve në firmën Fincantieri do t’i shitet Bangladeshit, ku mendohet të mbahet në shërbim edhe për 15 vjet të tjera. Ky ishte fati i Sibilës “vrastare”, patrullimi i ujërave territoriale të Bangladeshit, me shumë mundësi përsëri në funksion të goditjes së trafikut të klandestinëve.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





