Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të pretendojë postin e kryeministrit, por ai nuk do të jetë në radhën e deputetëve të Kosovës më 14 shkurt.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi të mërkurën se pas verifikimeve, ka rezultuar se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për listat zgjedhore, kanë mes tyre kandidatë të cilët nuk mund të garojnë për shkak të problemeve me ligjin.

KQZ-ja e Kosovës nuk e ka publikuar listën e personave të papërshtatshëm për karrigen e ligjvënësit, por i ka lënë kohë subjekteve apo kandidatëve që kanë pretendime, se mund ta dorëzojnë ankesën e tyre deri më 31 janar, pasi më 1 shkurt, hidhet shorti për renditjen e subjekteve në fletën e votimit.

Një ndër ta mësohet se është edhe ish-kryeministri Kurti. Në vitin 2018, ai dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u dënuan nga Gjykata për protestën me gaz lotsjellës në ambientet e Kuvendit.

Dy politikanët e Vetëvendosjes theksojnë se janë dënuar me kusht, jo me burgim. Personat me precedentë penalë brenda parlamentit kosovar i mohuan muajin e kaluar vazhdimin e qeverisjes edhe kryeministrit, Avdullah Hoti.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se qeveria në qershor ishte zgjedhur kundër ligjit me votën e deputetit, Etem Tarifi, i dënuar me vendim të formës së prerë vetëm pak muaj më herët.