Pas vuajtjes së dënimit, kosovari Ruzhdi Buzhala do të dëbohet nga Zvicra për 15 vjet. Në burg ai duhet t’i nënshtrohet terapisë ambulatore për pesë vjet
58-vjeçari Nga Kosova, i cili ka goditur për vdekje me thikë gruan shqiptare nga Ishull-Lezha, Almën, si dhe kunatën e tij Ilda në Hausen, Aargau, në fillim të janarit 2018, është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykata e Qarkut në Brugg AG e ka shpallur dje atë fajtor për vrasje të shumëfishtë, shkruan sda.ch.

Pas vuajtjes së dënimit, kosovari do të dëbohet nga Zvicra për 15 vjet. Në burg ai duhet t’i nënshtrohet terapisë ambulatore për pesë vjet, transmeton albinfo.ch. Ai duhet të bëjë po ashtu pagesa të zhdëmtimit për të afërmit e viktimave, përfshirë tre fëmijët e tij.

Gjykata e Qarkut, me këtë vendim ka përmbushur kërkesat e prokurorit. Vendimi nuk është ende i plotfuqishëm. Ai mund të atakohet në Gjykatën e Lartë të Kantonit të Aargau.

I akuzuari kishte deklaruar se kishte qenë në vetëmbrojtje pasi, sipas tij, gratë e kishin sulmuar atë me thika. Për këtë arsye, avokati i tij mbrojtës ka bërë lutje për pafajësi të plotë dhe kompensim të një çerek milioni franga zvicerane për dënimin e mëparshëm me burg.

Por, bazuar në provat ekzistuese, gjykata nuk ka dyshime se burri i kishte vrarë si gruan e tij 38-vjeçare, edhe motrën e saj 31-vjeçare që ishte për vizitë, me dy dhe tre plagë thike në apartamentin e familjes në Hausen, mëngjesin e 8 janarit 2018. Pastaj ai i kishte vënë një thikë në dorë, kunatës së vdekur dhe i kishte shkaktuar plagë sipërfaqësore vetes duke thënë se mezi i kishte shpëtuar vdekjes!!!

Lëndimet duhet të jenë shkaktuar nga përleshja, sipas avokatit, se ai nuk ka lënduar askënd me qëllim.