Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje ekonomike për Kosovën gjatë vitit 2019, prej 4,2 për qind. Por, sipas FMN-së kjo rritje mund të jetë më e madhe nëse ka përparim në reformat, veçanërisht në tregun e punës dhe fushat e qeverisjes.

Megjithatë, sipas FMN-së, ka rrezik se presioni i shpenzimeve dhe mungesa e të ardhurave nga taksat mund të rrisin deficitin fiskal.

“Rregullat fiskale vazhdojnë të jenë brenda politikave fiskale në buxhetin për vitin 2019 edhe pse ka rreziqe. Në buxhet ka rritje të madhe të pensioneve dhe hapësirë për iniciativa të reja për pagat dhe benefite të tjera sociale, duke u mbështetur në përfitimet e mëdha dhe të paqëndrueshme nga reformat në reformat e administratës tatimore dhe pensionet për veteranët e luftës”, thuhet në një raport të FMN- së.

FMN ka sugjeruar që autoritetet në Kosovë të jenë të kujdesshëm në prezantimin e skemave të reja sociale.

“Për të mbajtur nën kontroll presionin nga përfitimet sociale, është e nevojshme që të ketë reforma sa i përket veteranëve të luftës dhe të mos prezantohen skema të reja sociale, të tilla si për mësuesit, policinë apo edhe skema të tjera, përderisa çdo rritje pensionesh duhet të kufizohet vetëm në pensionin bazë”, thuhet në raportin e FMN-së.

Sipas FMN-së, në Kosovë shumë reforma “kanë ngecur” si pasojë e situatës “komplekse politike” dhe ky mekanizëm ndërkombëtar vlerëson se në vend janë rritur “vendimet populiste”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se buxheti për vitin 2019 do të jetë në vlerë prej 2,3 miliardë eurosh. Në këtë buxhet janë përfshirë disa skema të reja sociale. Partitë opozitare kanë kritikuar rritjen e skemave sociale dhe kanë thënë se ky buxhet nuk garanton zhvillim ekonomik./REL