Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës për fotografim të votës. Katër persona të arrestuar janë nga rajoni i Prizrenit ndërsa një në rajonin e Mitrovicës së veriut.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka thënë për Telegrafin se të njëjtit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

“Në rajonin e Prizrenit kemi katër persona të arrestuar, tre në Prizren, një në Mamushë, nën dyshimin se të njëjtit kanë bërë fotografimin e votës pas veprimit.

Të gjitha veprimet janë marr me Prokurorin e Shtetit dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë ndaluar”, ka thënë Gashi.

Po ashtu sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit kanë pranuar informata të shumta dhe pas verifikimit të të gjitha këtyre informatave, kanë ardhur në përfundim se kanë vetëm një rast në Mitrovicën e veriut, për të cilën prokuroria ka lëshuar vendim ndalimi për 48 orë./telegrafi