Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.95%, Partia Demokratike me 16.9%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64% dhe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07%.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në konferencën për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.

“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, tha Daka.

Daka shtoi se LVV do të ketë 58 deputetë, PDK do të ketë 19 deputetë, LDK do të ketë 15 deputetë, AAK do të ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.