Një aksion të gjerë ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës.

Siç mëson "Gazeta Express" nga burime të sigurta brenda hetuesisë, nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të nacionalitetit serb.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 30. Të gjithë këta dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.

 

Në mesin e të arrestuarve ka edhe policë të Kosovës (nga fshatrat e jugut të Mitrovicës). Mirëpo, dominojnë policët e nacionalitetit serb. Në vazhdimësi detaje të tjera nga ky aksion.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor po realizon një operacion në rajonin e Mitrovicës Veri dhe Mitrovicës Jugu

Prishtinë, 28 maj 2019

Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale.

Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja.