Kurti: Ambasadori Grenell nuk i do të keqen Kosovës, por kërkon marrëveshje të shpejtë

18/05/2020 - 21:10

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se ambasadori Grenell nuk ua do të keqen Kosovës dhe shqiptarëve, por vetëm dëshiron një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje deri në muajin shtator.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Harvardit, në të cilin morën pjesë edhe ish diplomatë të lartë amerikan, Nick Burns, Daniel Freed, Marcie Ris dhe Frank Wisner.

Ai tha se ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po ushtron trysni për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet të dyja vendeve.

“Është përshtypja ime se ambasadori Grenell nuk ua do të keqen Kosovës dhe shqiptarëve, por vetëm dëshiron të bëhet shpejtë. Dhe kur doni të bëni diçka shumë shpejt, nuk keni shumë konsiderata historike dhe provoni të ushtroni trysni mbi palën më të dobët, sepse dëshironi që gjërat të bëhen brenda javësh apo muajsh. Dhe ka një nguti nga ambasadori Grenell i cili e sheh një mundësi historike për të prodhuar një marrëveshje pa u mërzitur shumë për përmbajtjen e marrëveshjes apo zbatimin e saj, por me përqendrim në nënshkrimet nën tekstin e marrëveshjes. Pra ai dëshiron nënshkrimet nga Prishtina dhe Beogradi dhe ky është qëllimi kryesor. Por, jam i shqetësuar me qasjen e tij. Mendoj se ai dëshiron që kjo të ndodhë më së voni në muajin shtator. Më kujtohet në muajin tetor më tha se dëshiron marrëveshjen deri në shkurt e tani po dëgjoj se e dëshiron këtë deri në shtator”, tha ai.

Kryeministri Kurti ritheksoi gatishmërinë për bisedime me Serbinë por siç tha, në një proces të përgatitur dhe të mbështetur në parime.

“Parimet e bisedimeve më Serbinë duhet të jenë: Jo marrëveshje pa bisedime. E dyta, jo bisedime me harta në tryezë dhe së treti; jo presidentët rreth hartave që pretendojnë se janë gjeneralë ushtrish në Luftën e Parë Botërore”, tha zoti Kurti i cili ritheksoi qëndrimin e tij kundër ideve për shkëmbim territoresh apo ndarje në vija etnike si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Ideja e ndarjeve etnike në Ballkan është diçka që ka çuar në luftëra. Së këndejmi nëse dikush propozon ndarje në vija etnike, nuk është dialog i paqes e për paqen por kjo na kthen prapa në vitet e 90-ta kur kemi parë tërë ato masakra, mizori dhe gjenocid. Së dyti është raciste. Të thuash se serbët duhet të jenë në një anë të dhe shqiptarët në anën tjetër thuajse nuk janë qenie të njëjta dhe nuk mund të jetojnë së bashku, është raciste dhe e papranueshme”, tha zoti Kurti, i cili disa herë ka shprehur bindjen se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi kanë një ujdi për shkëmbim territoresh.

Ambasadori Grenell ka hedhur poshtë në disa raste çdo mundësi që një gjë e tillë të jetë diskutuar në praninë e tij.

Kryeministri në detyrë i Kosovës tha se qasja e presidentit amerikan Donald Trump i cili përfaqëson pikëpamjen që “nëse në shekullin e 20 rivali kryesor ishte Bashkimi Sovjetik, në këtë shekull është Kina”, është keqpërdorur nga presidenti rus Vladimir Putin për të fuqizuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Ai përmendi siç tha, dy grusht shtete të dështuara në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. “Tani ata synojnë raundin e tretë ose në Kosovë ose në Bosnje”, tha zoti Kurti duke bërë thirrje për një qasje të përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë dhe rajon.

“Sa herë që ka një boshllëk nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, atëherë Rusia dhe Kina menjëherë hidhen për të mbushur atë”, tha ai.

Zoti Kurti tha se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë.

“Sepse Greqia nuk i ka bërë asgjë Maqedonisë çfarë mund t’i bëjmë ne njëri tjetrit nëse një vend anëtarësohet para tjetrit”, tha ai. /VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 9 raste të reja me koronavirus në vend.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar të martën se kryetari i Qendrës së saj në Podujevë, Bajram Ajeti ka dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjed

Presidenti Hashim Thaçi duket se dialogun Kosovë- Serbi e do vetëm me ndërmjetësimin e Shtëpisë së Bardhë në SHBA.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nuk është e vërtetë se ka ngërç institucional, por ka theksuar se ka mospajtime e zgjidhj

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot sot janë konfirmuar edhe gjashtë raste të reja me korona

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se të dielën janë realizuar 138 testime të qytetarëve tanë, nga të cilat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Fitër Bajramin njëkohësisht ka përcjellë dhe një mesazh apeli.

Edicioni i sivjetshëm i festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë është anuluar për shkak të krizës së shkaktuar nga COVID-19.

Përmes një shkrimi të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe të Francës kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të dialogut Kos

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presideni i Serbisë Aleksandër Vuçiç ditën e sotme kanë lëshuar deklarata të ngjashme në lidhje me