Banorët e një pjese të Komunës së Vushtrisë në Kosovë janë evakuuar, pasi lumi Sitnica ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje, njoftoi kreu i kësaj komune, Xhafer Tahiri.

Tahiri tha se gjendja është e rënduar dhe se në evakuimin e banorëve ka ndihmuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Shkolla fillore ‘Naim Frashëri’ në qytet është duke u bërë gati për strehim për qytetarët që kanë nevojë”, tha Tahiri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Qendra e Situatave e ka njoftuar se gjendja në komunat të cilat janë përballur me vërshime ditëve të fundit, pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe të borës, “është nën kontroll”.