Ministria e Jashtme kosovare ka mohuar deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç se Republika e Ganës është shteti i 16-të i radhës që ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë një prononcimi për televizionin “Prva”, kreu i diplomacisë serbe tha se nota verbale për Kosovën erdhi në fundjavë.

“Ky është shteti më i madh që ka bërë një gjë të tillë, i ka 30 milionë banorë, është tri herë më i madh se Serbia. Gana tradicionalisht ka qenë shtet mik i Jugosllavisë”, ka thënë Daçiç, duke paralajmëruar se deri në fund të vitit do të ketë edhe tërheqje tjera të njohjeve të Pavarësisë së Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit në detyrë të MPJ-së, Behgjet Pacolli, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky është një tjetër lajm i pavërtetë.

Zyberaj ka thënë se kjo është një propagandë e vazhdueshme nga Ivica Daçiç. Sipas tij Gana ka një ambasadore të akredituar në Kosovë dhe një konsull nderi po ashtu.